Investitorët gjermanë lënë kompaninë e dytë më të madhe telefonike në vend. Ekonomistët e shohin transaksionin si përkeqësim i klimës për biznesin evropian
Neritan Gjergo
Në fund të vitit 2017, kompania e telekomunikacionit Plus njoftoi falimentin, duke e lënë në këtë mënyrë tregun me 3 operatorët më jetëgjatë, Vodafone, Telekom dhe Albtelecom. Por pa kaluar një vit, operatori i dytë, ‘Telekom Albania’ deklaron se është në vështirësi financiare dhe kërkon blerës për asetet e veta. Madje, kërkesa është bërë prej disa muajsh, dhe kompania sot është në procesin e “Due Diligence” (analizë gjithëpërfshirëse e shoqërisë ) dhe brenda tetorit stafit do t’i komunikohet blerësi i ri. Në garë për blerjen janë Telekom Serbia dhe dy kompani bullgare (Vivacom, dhe Globul Telenor), ndërsa propozim për blerjen e aksioneve ka bërë edhe manjati grek Vardi Vardinogiannis, pronar i firmave Motor Oil Hellas dhe Vegas Oil and Gas. Sipas ofertave të dorëzuara në kompani, del se më e larta dhe më e favorshmja është e ajo që vjen nga kompania simotër e Serbisë. Por si gjykohet nga ekspertët e ekonomisë largimi i shpejtë i pronarëve gjermanë? A është kjo një procedurë e rëndomtë apo klima e investimit në Shqipëri për investitorë që vijnë nga BE është e egër? Zef Preçi thotë për “Shekulli”-n, se tërheqja e investitorët e BE-së po shohin një klimë dëshpëruese, të lodhshme, teksa në vend shtohen investimet me kapital nga lindja apo Ballkani. Shtimi i pranisë së kapitalit kinez, shtimi i pranisë së kapitalit turk, shimi i presionit të kapitalit me origjinë ruse, apo vende të tjera të kësaj natyre në thelb është dëshmi e lodhjes që kompani serioze të vendeve të BE kanë me klimën e biznesit në Shqipëri. Me përmirësimin e ngadalshëm, apo edhe përkeqësimin e kësaj të fundit”. Për ekspertin Preçi, rasti konkret, por edhe fenomeni në tërësi, penalizon drejtpërdrejt konsumatorin. “Kompania kompensohet për vlerën e tregut që zotëron në atë moment. Por ardhja e kompanisë së re do të thotë se ekonomia do të shfrytëzohet më shumë, përkeqësohen investime në infrastrukturë, pra zgjerimi i planifikuar nuk ndodh më. I penalizuar i vërtetë është konsumtori”, shprehet Preçi.
Kriza
Prej dy vitesh, operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri po rezultojnë me humbje, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies të të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni). Rënia e tregut duket se i ka bërë gjigantët e Deutsche Telecom të painteresuar për tregun shqiptar, disa vjet pasi ata hynë në Shqipëri përmes degës së tyre në Greqi, Cosmote. Telecom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto në 2015-n. Kohët më të arta të Telecom Albania ishin deri në 2008 (në atë kohë e quajtur AMC), me fitime atë vit që rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017. Aktualisht, Cosmote Mobile Telecommunications zotëron 99,76% të aksioneve dhe pjesa tjetër është në zotërim të individëve. Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet janë rivlerësuar në ulje dhe vlerësimi i mundshëm i kompanisë luhatet mes 150-200 milionë euro. Kompania greke Cosmote bleu në vitin 2000 Albania Mobile Communication (AMC) të krijuar nga shteti në vitin 1995 për një shumë prej 120 milionë euro. Në vitet e para të aktivitetit normat e fitimit i kalonin mbi 50% teksa deri në vitin 2009 në treg kishte vetëm dy operatorë (AMC dhe Vodafone, që hyri në vitin 2003) që operonin në një treg duopol. Në korrik 2015 AMC prezantoi identitetin e ri të saj, duke u quajtur Telekom Albania, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, përmes mëmës së saj në Greqi.
Shumë duar për një kompani
Telekom Serbia është një kompani ku 22% të aksioneve janë në pronësi të shtetit serb, 22% i takojnë qytetarëve të Serbisë dhe 55.8% zotërohen nga Dunav banka, firmë po serbe, që operon në fushën e shërbimeve bankare dhe të sigurimeve. Telekom Albania aktualisht zotërohet nga grupi gjerman Deutche Telekom, i cili arriti kontrollin e aksioneve të Cosmote Mobile Comunnications në Shqipëri në vitin 2015 duke u bërë pronar mazhoritar në grupin grek OTE që kishte pronësinë e operatorit Cosmote. Shitja e parë e aseteve të kompanisë u bë në vitin 2000, kur Cosmote bleu për 120 milionë Euro kompaninë shtetërore AMC. Kjo është hera e parë në Shqipëri që një shoqëri serbe do të pozicionohet në një sektor strategjik, siç është fusha e telekomunikacionit. Tregu i shërbimit të telefonisë celulare aktualisht ndahet dhe me dy operatorë të tjerë, grupi britanik Vodafone dhe ai turk Albtelecom. (shekulli)