Transformimi i FSK-së në ushtri mund të zgjasë deri në shtatë vjet

Gjeneral KastratiForcës së Sigurisë së Kosovës i nevojiten të paktën shtatë vite për të ngritur kapacitetet operacionale dhe për transformimin e saj në Ushtri të Kosovës. Kështu tha për Radio Kosovën ish komandanti i FSK, gjeneral Kadri Kastrati. Ai tha se vendimi i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri, është bërë në koordinim me aleatët tanë.

RADIO KOSOVA: Z. gjeneral, Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar në lexim të parë projektligjin për transformimin e FSK-së. Cili është komenti i juaj për këtë?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Unë mendoj se të gjithë qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të kënaqur,gjithashtu edhe unë si ish komandant i FSK-së, për arsye se është ngjarja më e rëndësishme pas 17 shkurtit 2008. Ashtu që ne me kalimin e këtyre tri projektligjeve në leximin e parë, faktikisht i kemi hap rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe pres që pas 20 nëntorit do të kalohet edhe në leximin e dytë dhe FSK mund të ecë tutje me kapacitetet e veta ushtarake.

RADIO KOSOVA:Forca e Sigurisë së Kosovës edhe gjatë kohës sa ju keni qenë komandant, në vitin 2013, zyrtarë të NATO-s patën thënë se FSK-ja ka plotësuar të gjitha kapacitetet. Tash, kur FSK të shndërrohet në ushtri, çfarë kapacitetesh duhet të plotësojë?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Fillimisht FSK i pati plotësuar kapacitetet e saja operacionale për misionin që e ka. Mirëpo tash me këto tri projektligje, më mirë të them me Ligjin për FSK-ën, në këtë ligj parashihet ndryshimi i misionit të FSK-së nga misioni gjysmë ushtarak, për arsye se misioni i FSK –së ka qenë civilo- ushtarak dhe tash me ligjin e ri do ta ketë misionin ushtarak. Çka do të thotë se misioni i Forcës së Sigurisë do të jetë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, pjesëmarrja në misione paqeruajtëse dhe mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale. Për t’i arritur të gjitha këto detyra normal që tash do të duhen edhe pajisje shtesë përfshirë edhe  armatimin. Për atë arsye tash duhet ecur përpara, duhet të zhvillohet kjo forcë për t’i arritur ato kapacitete tash me misionin ushtarak.

RADIO KOSOVA:Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar në shkollim një numër të konsiderueshëm të oficerëve të saj. Sipas jush, a do të mjaftojë kjo dhe çka është parësore në këtë moment?

GJENERAL Kadri Kastrati: Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi ka dërguar oficerë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit. Forca e Sigurisë, unë tashmë nuk e kisha quajtur FSK por Ushtria e Kosovës, duhet t’i ketë pesë mijë ushtarë aktivë. FSK sot i ka 2 mijë e 200 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë. Do të thotë, që ne si Kosovë dhe FSK në veçanti në shtatë vitet e ardhshme, sa nevojiten me i ngrit këto kapacitete, duhet të rekrutojmë pjesëtarë të rinj bazuar në planet e veprimit që ata kanë. Ngritja e kapaciteteve për çdo vit bazohet edhe në kapacitetet që ka tash për tash FSK. Kjo do të thotë se për çdo vit nga 300 ushtarë të rinj duhet rekrutuar, por edhe buxheti duhet të ndahet për këtë pjesë, për arsye se çdo ushtar që rekrutohet duhet t’i ketë pajisjet individuale, përkatësisht armatimin individual. Mirëpo tash duhet të blihet edhe armatim i nevojshëm për ta përmbushur këtë mision. E misioni do të jetë mbrojtja e kufijve. E për këtë do të ketë nevojë që forca ushtarake në të ardhmen të ketë armatim të sofistikuar.

RADIO KOSOVA: Në cilat faza duhet të armatoset Forca Ushtarake, ne e dimë që FSK-ja është forcë e armatosur lehtë?

GJENERAL Kadri Kastrati: Faza e parë është paraparë që të jetë ristrukturimi. Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes parasheh ristrukturimin e kësaj ministrie. Do të ketë strukturë të brendshme ndryshe prej asaj që ka sot. I nevojitet një kohë e caktuar, në vitin e parë them unë të ristrukturohet Ministria e Mbrojtjes dhe të ristrukturohet struktura e FSK-së. Kjo strukturë nuk përputhet me strukturën që është paraparë ta këtë ushtria. Pastaj janë edhe fazat e tjera, që janë paraparë qysh atëherë kur kam qenë unë komandant. Plani i veprimit apo plani i ngritjes së këtyre kapaciteteve siç është edhe blerja e armatimit. Ngritja e kapaciteteve ushtarake është paraparë të bëhet brenda planit dhjetëvjeçar. Mirëpo, ne jemi me vonesë, kjo është dashtë të ndodhë në vitin 2014 . Unë mendoj se FSK ka kapacitete të mjaftueshme infrastrukturore por edhe buxhetore që ky plan të mos zgjasë dhjetë vjet por të shkurtohet në shtatë vite.

RADIO KOSOVA:Si do të ndikojë rishikimi i pozicionit të NATO-s karshi FSK-së pas ndryshimeve ligjore që u bën në Kuvend rreth kapaciteteve dhe mandatit të FSK-së, pasi që zyrtarë të NATO-s me herët kanë deklaruar se transformimi duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Jo vetëm unë por të gjithë qytetarët e Kosovës dëshirojnë që ne ushtrinë ta kemi me ndryshime kushtetuese. Mirëpo, ne jemi dëshmitarë se që nga viti 2014 e deri më sot Lista Serbe apo përfaqësuesit e serbeve të Kosovës, ose dora e zgjatur e politikës së Beogradit, kisha thënë çdo herë ka dhënë mesazh negativ. Asnjëherë ata nuk janë pajtuar që Kosova ta ketë ushtrinë e vet. Dhe ata jetojnë në ëndrra që Kosova është pjesë e Serbisë dhe se Kosova do të kthehet atje ku ka qenë përpara. Ky veprim i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është bërë pa koordinim të aleatëve tanë. Ata në heshtje, ju e keni parë edhe vetë se asnjë partner i yni e asnjë shtet i NATO-s nuk ka thënë se kjo nuk bën të ndodhë. Mirëpo ata në heshtje e kanë parë se formimi i ushtrisë është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe kanë pritur deri tash. U kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që të jenë të durueshëm, që t’i shterin të gjitha mundësitë e bisedimeve me palën serbe apo përfaqësuesit e tyre këtu në Kosovë. E kanë parë që nuk binden , nuk bindet as Beogradi, atëherë në  mënyrë të heshtur e kanë lejuar që Kosova të ecë në ngritjen e këtyre kapaciteteve. Pse, arsyeja është shumë e thjeshtë, këtë benefit e ka edhe NATO-ja, edhe shtetet që janë prezentë në Kosovë me trupat e tyre. Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni më i gjatë në historinë e NATO-s. Paramendoni sa mjete financiare, mjete të taksapaguesve të shteteve të tyre kanë shpenzuar për të qëndruar në Kosovë dhe mekanizmat përcjellës që ata i kanë në Kosovë. Nuk shoh absolutisht prishje të marrëdhënieve të FSK-së dhe KFOR-it apo NATO-Kosovë. Dhe jam i bindur që KFOR-i do ta ndihmojë këtë forcë ushtarake që t’i ngritë kapacitetet sa më shpejt. Bile, pres shumë shpejt, pasi të kalojnë ligjet edhe në leximin e dytë, që Këshilli i NATOS të ulët dhe ta bëjë rishikimin e mandatit të KFOR-it në Kosovë.

RADIO KOSOVA:Sipas jush, a do të duhej të ishte ushtri e obligueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, apo ushtri profesioniste?

GJENERAL Kadri Kastrati: Nuk është e paraparë, shumica e shteteve të NATO-s e kanë heq shërbimin e detyrueshëm në ushtri, edhe rajoni e ka hequr. Duke pasur parasysh ekonomin e Kosovës, nevojat buxhetore që do të jenë shumë-shumë më të mëdha për ushtrinë e Kosovës. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se popullata e Kosovës është shumë e re, dhe ne nuk do të kishim mundur të përballojmë të kemi një shërbim të detyrueshëm, për çka mendoj se nuk është i nevojshëm. Mendimi im është që ne mund ta kemi një edukim ushtarak te të rinjtë në mënyra të tjera që nuk kërkon implikime buxhetore. Për shembull, nëpërmjet ligjëratave, familjarizimin e të rinjve me kazerma, vikendeve, pse jo!? Kosova në të ardhmen do të këtë nevojë edhe për gjëra të tjera, për situata emergjente. Në Slloveni të rinjtë trajnohen nëpër bjeshkë, kërkim- shpëtim, zjarrshuarje dhe për shumë gjera të tjera që në të ardhmen në rast nevoje nëse ndodh. Ne si Kosovë, si ushtri e Kosovës nuk do të përgatitemi vetëm për luftë, dashtë Zoti që të mos ketë luftë më kurrë. Ne po e shohim se çdo vit po ballafaqohemi me situata të llojllojshme. Ushtria nuk është që do të rrijë vetëm në kazerma dhe të përgatitet me topa, helikopterë, e etj, por duhet të përgatitet edhe për të mirën e qytetarëve. Një prej detyrave të misionit do të jetë edhe mbështetja e institucioneve qendrore dhe lokale. Unë mendoj që të rinjve mund t’u japë një edukim ushtarak pa harxhime buxhetore për nevoja në të ardhmen.

Autor: Mejreme Tahirukaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Qendra Informative Shqiptare "Liria"