Më shumë se një vit pas propozimit nga kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta krijoi bindjen dhe dekretoi Helidon Bendon në krye të Shërbimit Informativ(SHISH).
Emri i tij cilësohej si i refuzuar përfundimisht nga ana e Presidentit, pas shumë verifikimesh që iu bënë figurës së zv/shefit të shërbimit sekret shqiptar. Megjithatë, Bendo drejtoi realisht shërbimin që pas dorëheqjes së ish-shefit të SHISH-it, Visho Ajazi Lika, i cili u bë diplomat. Por, çfarë ndodhi që Presidenti pak orë para nisjes së një vizite te arbëreshët në Itali të nxirrte nga dosjet e para një viti emrin e Bendos?
Arsyet, Presidenca nuk i ka bërë të ditura, por vendimi vjen në një moment kur, siç thotë Rama, ka nisur shahu politik. Bendo mori emërimin në momentin kur refuzohet emri i Sandër Lleshit. Balanca politike që sjell ky emërim erdhi pak para se kryeministri Edi Rama të mbante fjalimin e lajmëruar në Kuvend, ku, siç premtoi, u fokusua te veprimet e Presidentit me kompetenca që nuk ia jep Kushtetuta.
Duket se është rasti i Lleshit që emëroi Bendon në krye të SHISH-it. I sapodekretuar, Helidon Bendo u paraqit në Kryesinë e Kuvendit për buxhetin e vitit 2019. Për shkak të informacionit të klasifikuar, shefi i SHISH-it kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, por para se kërkesa e tij të vihej në zbatim, Helidon Bendo bëri një paralajmërim: “Informacioni është i klasifikuar, brenda vitit që vjen do të ketë më shumë transparencë”.
Pas firmës së Ilir Metës, Helidon Bendo merr mandatin e plotë për të vijuar atë që tha Rama në Kuvend, reformimin e Shërbimit Informativ që së fundmi është përmendur edhe gjatë debatit politik në çështje si ajo e audiopërgjimeve.
Me dekretimin e shefit të ri të SHISH-it, një pjesë e ekuacionit në shahun politik është zgjidhur, por loja mes dy institucioneve është në vijim. Në diskutim është ende kandidatura e propozuar nga Presidenti për drejtimin e KLSH-së, tani e ka radhën mazhoranca të bëjë lojën e saj.
Top Channel