Mbrëmja e të mërkurës (14.11.) do të hyjë në historinë e modernizimit të Tiranës. Për herë të parë, një nga rrugët e saj kryesore, Rruga Skandërbe, e njohur ndryshe edhe si “Rruga e Ambasadave” do të ndriçohet me sistemin modern LED, të kompanisë së njohur britanike PHILIPS , në sajë të projektit “Modernizimi Efikas i Energjisë në Ndriçimin Publik” realizuar nga GIZ, në bashkëpunim me kompaninë PHILIPS dhe Bashkinë e Tiranës.
Dhjetëra fëmijë me prindërit e tyre, nxënës të gjimnazit gjermanisht- shqip, “Sami Frashëri”, qytetarë të Tiranës, i paraprinë ndezjes së dritave me sistemin modern me “Paradën e Fenerëve” (Laternelaufen)- traditën kulturore të Gjermanisë të Shën Martinit, që për herë të parë në Shqipëri u zhvillua në mbrëmjen e së mërkurës. Fëmijët, me fenerët e bërë vetë, parakaluan në rrugën ende të pandriçuar, duke kënduar në gjermanisht këngën e famshme në Gjermani “Laterne, Laterne – Sonne Mond und Sterne, bleibe hell, mein Licht – (Fener , Fener, Diell, hënë dhe yje ndriço, drita ime).
Kjo paradë solli në Tiranë festën tradicionale gjermane të Shën Martinit, permes paradës së fëmijëve dhe prindërve të tyre. Sipas legjendës Shën Martini, një ushtar romak në shek IV, i dha gjysmën e kapotës së tij një lypësi, që ai të mos ngrinte nga të ftohtët duke edukuar tek qindra breza deri në ditët tona bujarinë dhe solidaritetin për të varfërit. Ndezja e dritave të sistemit modern LED dhe ndriçimi i rrugës tregoi filozofinë e mbështetjes së Gjermanisë ndaj Shqipërisë: në qendër përmirësimi i kushteve të jetesës së njerëzve.
Schütz – Projekte të vogla që sjellin ndryshim të madh
Sektori i energjisë elektrike është një nga shtyllat e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim Gjermani -Shqipëri. Në 30 vjetorin e këtij bashkëpunimi , që po festohet sivjet, Gjermania ka mbështetur me 400 milionë Euro këtë sektor, për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve, krijuar një mjedis miqësor biznesi dhe lidhur rrjetin shqiptar të energjisë me atë të Bashkimit Europian. Koha e ndërprerjes së energjisë elektrike, me kosto të lartë për bizneset dhe jetën e përditshme të familjeve ka mbetur në të shkuarën. Gjermania financoi ndërtimin e linjave të tensionit të lartë me vendet fqinjë të Shqipërisë, gjë që ka garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
Por krahas këtyre investimeve të mëdha edhe projekte të vogla si ky për ndriçimin e rrugës me sistemin modern LED ndryshojnë për mirë jetën e njerëzve. Ambasadorja gjermane në Tiranë Susanne Schütz theksoi në fjalën e saj, me rastin e inagurimit të këtij sistemi, se përdorimi i tij arrin dy qëllime kryesore: “Të ketë një ndriçim modern në bazë të sistemit foto-voltaik që funksionon sipas standarteve europiane dhe reduction konsumimin e energjise elektrike si edhe emetimin e gazit karbonik, CO2. Së dyti përmes këtij sistemi modern ndriçimi rrisim ndërgjegjësimin e qytetarëve për nevojën e kursimit të energjisë elektrike dhe demostrojmë që investimi në pajisje efikase jep frutet e veta”, theksoi ambasadorja gjermane në Tiranë, Schütz.
Sipas ekspertëve gjermanë sistemi i ri i ndriçimit në Rrugën Skëndërbe redukton konsumimin vjetor të energjisë elektrike nga 20 mijë Kilowat/orë në 6 mijë, e gjitha në sajë të panelit foto-voltaik. Gjermania planifikon të investojë në përdorimin e sistemit modern LED edhe për ndriçimin publik në Durrës, Shkodër dhe Korçë. (dw)