Katër të arrestuar në veriun e Kosovës

MitrovicaPolicia e Kosovës arrestoi sot katër veta në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe në kuadër të hetimeve për vrasjen e politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç.

Policia tha se ka kryer kontrolle në katër vende dhe ka arrestuar tre persona që lidhen me hetimet dhe një tjetër për pengim të punës së zyrtarëve policorë.

Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar të këtij viti në veriun e Mitrovicës.

Katër të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe sipas medieve lokale serbe, njëri prej tyre është pjesëtar i policisë së Kosovës.

Drejtori i Departamentit për Hetime në policinë e Kosovës, Riza Shillova tha se operacioni i policisë ka qenë i suksesshëm dhe sipas tij janë përdorur mjete dhe metoda që parashihen me procedura dhe ligje që janë në fuqi.

“Cak i operacionit policor kanë qenë katër lokacione dhe katër të dyshuar, një nga të dyshuarit M.R nuk është hasur në vendbanimin e tij dhe për të është lëshuar një fletëarrest ndërsa ndodhet në arrati dhe atëherë kur do të haset nga policia do të arrestohet”,tha ai.

Prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Sylë Hoxha tha se janë duke u zhvilluar hetimet ndaj personave të dyshuar të cilët kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviç-it.

“Prokuroria e Posaçme deri në këto momente ka grumbulluar fakte dhe ka ardhë në një përfundim se vetëm edhe me një urdhër kontroll të shtëpive dhe banesave të dyshuarve mund të sigurohet edhe ndonjë provë tjetër lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit”,tha ai.

Aksioni i policisë nxiti reagime të shumta në veriun e Kosovës dhe autoriteteve në Serbi.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç takoi ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd për të shprehur siç tha brengat për arrestimin e serbëve në veriun e Kosovës. Presidenti Vuçiç citohet të ketë thënë se “Serbia nuk ka më arsye për t’i besuar misionit të KFOR-it në Kosovë”.

Por, forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thanë se veprimet e policisë së Kosovës nuk ishin të paligjshme ose veprime ushtarake dhe nuk ka pasur ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve.

“KFOR konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe asnjë Forcë e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk u dërgua në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it duke nënvizuar se situata mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll në terren me gjithë tensionet në rritje në nivel politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike.

“KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe të ruajë pranine e tij në terren, me shpresë që nuk ka nevojë të ndërhyjë”, thuhet në komunikatë.

Grupe qytetarësh serbë u mblodhën në sheshin qendror në Mitrovicë.

Nënkryetari i subjektit Lista Serbe, Igor Simiç tha se institucionet e Prishtinës po e përdorin rastin e hetimeve të vrasjes së Oliver Ivanoviç për të përdorur siç tha forcën kundër serbëve.

“Ne, përfaqësuesit serb këtu, po u bëjmë thirrje serbëve të qëndrojnë të qetë, por situata është shumë e tensionuar. Detyrat normale do të vazhdojnë që fëmijët të shkojnë në shkollë, dhe ne do të kujdesemi për këtë situatë dhe do të mbajmë paqen. Ne i bëjmë thirrje shtetit tonë, Serbisë, që të bëjë diçka, pasi ne nuk mund t’i besojmë trupave të KFOR-it këtu”,tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë për hapat që duhet të ndërmerren.

“Ne po formojmë një qendër krizash për të informuar publikun për veprimet tona, ne jemi të organizuar, po i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shtetit tonë të Serbisë, presidentit tonë Vuçiç për të na shpëtuar nga ky aksion brutal nga policia e posaçme. Ky operacion ishte direkt kundër popullit serb këtu, ata duan të na dëbojnë nga këto territore”,tha ai.

Operacioni i policisë së Kosovës u krye në një periudhë tensionesh të larta politike pas vendimit të qeverisë së Kosovës për një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, që nxiti reagimin e Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi heqjen e saj.

Qeveria e Kosovës, tha se operacioni nuk ka të bëjë me zhvillimet politike.

“Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”.

Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që “të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë”.

“Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë”,theksohet në deklaratën e qeverisë.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë një konference për gazetarë tha se masat e fundit e institucioneve të vendit kanë qenë të pashmangshme për të ndalur siç tha veprimet e udhëheqësve të Serbisë kundër Kosovës. Ai tha se vendimet e Kosovës janë legjitime, sovrane dhe transparente dhe jo veprime të drejtuara kundër një komuniteti të caktuar në Kosovë.

“Serbia dhe udhëheqësit e saj duhet ta kuptojnë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës ëstë duke rrezikuar qëndrueshmërinë rajonale, është kundër frymës së dialogut. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës në mes të shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokimet e tilla. Nuk do të lejojmë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jo qëndrueshmëri në vendin tonë. Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe intitucional. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të Kosovës. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenojnë bashkëqytetarët tanë serb kudo që jetojnë në Kosovë”,tha zoti Veseli.

Zoti Veseli u bëri thirrje qytetarëve serb që t’u besojnë institucioneve të Kosovës dhe të mos bien siç tha pre e asnjë provokimi të mundshëm.

“Kosova është e angazhuar që të zgjidh problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive përmes dialogut dhe mirëkuptimit por kjo nuk do të thotë që do të lejojmë pafundësisht synimet destructive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdo herë dhe çdo kohë gjendjen në vendin tone”,tha ai.

Kosova e Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane. Por takimi i radhës ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve mbetet i vështirë pas masave të fundit të vendosura nga qeveria e Kosovës dhe kërkesës së Serbisë që të hiqen ato, si kusht për të vazhduar bisedimet që po ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>