Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha, që “Kosova duhet të anulojë ose të paktën të pezullojë tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe”. Por Prishtina diskuton mundësinë e masave të tjera ndaj Serbisë.
Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta haqë tarifën doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, megjithë thirrjet e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të BE-së, që të hiqet kjo taksë. Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, tha pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që u mbajt në Bruksel, se “bisedimet Kosovë-Serbi janë në vështirësi”, duke e vënë theksin tek tarifat doganore prej 100 për qind që qeveria e Kosovës u ka vënë mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ajo i bëri thirrje Prishtinës që të heqë tarifat.
Edhe komisionari i BE-së për zgjerim Johanes Hahn, duke folur para gazetarëve në “Konferencën e Pranimit Ministror BE-Serbi”, tha se “taksa prej 100 % për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është kundër frymës së tregtisë së lirë të CEFTA-s dhe kundër frymës së bashkëpunimi rajonal, i cili mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet tregtisë së lirë, lëvizjes së lirë të mallrave dhe lëvizjes së lirë të njerëzve”.
Po ashtu ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, nga ana e tij tha të martën që “Kosova të anulojë ose të paktën të pezullojë tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe”. Duke folur në Paris në një takim për parandalimin e përhapjes së armëve të lehta nga Ballkani, Maas e vlerësoi për “keqardhje tërheqjen e përfaqësuesve të pakicës serbe nga institucionet e qeverisjes në veri të Kosovës”. Sipas tij, “përshkallëzimi i mëtejshëm duhet të parandalohet në mënyrë urgjente dhe duhet të ruhet suksesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve”, tha shefi i diplomacisë gjermane.
Ndërkohë brenda qeverisë së Kosovës po diskutohet që të shkohet edhe më larg, (ndonëse akoma nuk ka vendime), të ndërmerren masa të tjera ndaj Serbisë, për shkak – siç thotë kryeministri Haradinaj – “të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës”. Në mbledhjen qeverisë (11.12), Kryeministri Ramush Haradinaj tha, se “Serbia duhet të ndalë agresionin ndaj Kosovës dhe të hapet rruga për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.
“Edhe diskutimet për masat e reja, vijnë si pasojë e presionit që po vazhdon prej Serbisë. Serbia kish qenë mirë që të ndalë një agresion të tillë dhe t’i hapë rrugë një normalizimi. Unë kam deklaruar se taksa mund të hiqet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por taksa nuk hiqet përpara sepse nuk kemi sesi të veprojmë ndryshe. Taksa prej 100 për qind, nuk është bërë nga arroganca, por është bërë sepse jemi ndodhur përballë një agresioni”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se “masa nuk i drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës e as popullit serb, por është ndaj shtetit të Serbisë”.
Tash për tash, akoma nuk ka vendim të qeverisë për vendosjen e masave të tjera ndaj Serbisë, por, ato që janë paralajmëruar nga zyrtarët e qeverisë së Kosovës, janë: vendosja e ndalimit të hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, procedura e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës. Dhe paralajmërohet mosnjohja e dokumenteve të Serbisë për cilësinë e produkteve të tyre, ashtu siç Serbia nuk i pranon dokumentet e cilësisë së mallrave të Kosovës.
Reagimet e Beogradit zyrtarë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës kundër tarifës doganore të Kosovës ndaj mallrave serbe nuk kanë të ndalur. Deputeti nga radhët e listës Srpska, Igor Simiq thotë se “tarifat për mallrat serbe e kanë vështirësuar jetën e serbëve në Kosovë”, ndërsa “paralajmërimet e qeverisë së Kosovës për masa të tjera”, sipas tij, do të rrezikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb”.
“Nuk mund ta merrni me mend se çfarë po ndodh në kokat e nxehta në Prishtinë, dhe cilat janë masat e ardhshme të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt do të rrezikojnë paqen dhe sigurinë e të gjithëve në veçanti të serbëve. Ka paralajmërime që t’u ndalohet hyrja në Kosovë zyrtarëve nga Serbia. Kjo do të ishte edhe një goditje ndaj uljes së tensioneve, pasi të gjithë zyrtarët që e kanë vizituar Kosovën kanë bërë thirrje për paqe”, citojnë mediet lokale serbe deputetin Igor Smiq.
Ka reaguar edhe Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës, Mirko Sharoviq. Ai ka thënë se vendi i tij, mund të kërkojë përjashtimin e Kosovës nga CEFTA, pas vendimit për taksë prej 100 ndaj mallrave të Bosnjës e Hercegovinës.
“Nëse vazhdohet me këto masa, një nga masat është që të kërkojmë suspendimin e Kosovës nga CEFTA, por do të kërkojmë edhe suspendimin e saj edhe nga marrëveshja e stabilizim asocimit (MSA). Ata do të takohen më 17 dhjetor, ndërsa ne do t’i njoftojmë për këtë komisionarin për zgjerim Johannes Hahn dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin”, ka thënë Sharoviq, transmetojnë mediet në Bosje.
Qeveria e Kosovës me datën 21 nëntor, rriti taksën doganore për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë. Kjo taksë ka tensionuar raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjë që e ka bllokuar edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. (voa)