Miratimi i ligjeve nga parlamenti i Kosovës që i hapin rrugë themelimit të ushtrisë, u prit me zemërim në veriun e vendit dhe kremtime në Prishtinë. Ekspertët e sigurisë thonë së pas votimit të sotëm fillon sfida e vërtetë e ngritjes së ushtrisë për të cilën është e domosdoshme mbështetja e aleatëve të Kosovës.
Përfundimi i votimit të ligjeve që i hapin rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së Kosovës, shënoi fillimin e kremteve ne qendër të Prishtinës e cila që më parë ishte stolisur me flamujt e vendeve aleate të Kosovës, ku mbizotëronin flamujt amerikanë.
Miratimi i ligjeve shënon vetëm fillimin e një procesi të gjatë të ngritjes së ushtrisë dhe sipas Plator Avdiut nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, nga nesër fillon faza e vërtetë e trajtimit të Forcës së Sigurisë si institucion shtetëror.
“Ajo çka mendoj se do të ndodhë në një plan pesë deri dhjetë vjeçar është që ministria e re e mbrojtjes tash duhet të tentoj që sa më shumë të shtoj bashkëpunimin bilateral me shtetet e NATO-s por edhe me shtetet e tjera që nuk janë në NATO, por që e njohin Kosovën, të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi për t’i ndihmuar Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve defansive ose të mbrojtjes, për t’i bërë funksionale në njëfarë forme vet këto ligje që sot u kaluan”, thotë ai.
Sipas tij Kosova duhet të shfrytëzojë ndihmën e aleatëve për t’i bindur shtetet që janë në mëdyshje brenda NATO-s për nevojën e nisjes së një bashkëpunimit të ri me këtë organizatë.
“Me ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë, Kosovës duhet patjetër t’i hapen dyert për një bashkëpunim të ri politik me NATO-n, por që në këtë rast duhet të ketë një aktivitet të madh të diplomacisë së Kosovës për të amortizuar rezistencën që ekziston brenda NATO-s sidomos te vendet mos njohëse, ku shquhet Spanja, pra të tentohet t’u tregohet se formimi i ushtrisë nuk drejtohet kundër askujt”, thotë ai.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ish komandant i Forcës së Sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se sfidë për konsolidimin e ushtrisë së Kosovës do të jetë mungesa e përvojës, meqë vendi nuk ka pasur më herët ushtri.
“Presim që NATO-ja dhe partneri jonë kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të na ndihmojnë, të na këshillojnë dhe të na mbështesin në rrugëtimin tonë drejt arritjes së standardeve, qëllimeve, drejt arritjes së misionit tonë që do të jetë për ta mbrojtur territorin e Kosovës, për ta mbështetur NATO-n nëse ka nevojë në të ardhmen, për t’i mbështetur autoritetet civile dhe lokale dhe për të mbrojtur pronën dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Zoti Avdiu mendon se Forca e Sigurisë ka nevojë për reforma të brendshme.
“Ne e dimë që tash pas kalimit të këtyre ligjeve do të ketë procese të reja të rekrutimit brenda FSK-së, aty duhet të ketë kujdes të madh, duhet të ketë mbikëqyrje mendoj edhe nga akterë të jashtëm, ndoshta do të duhej të përfshihej edhe vet ambasada britanike e cila po i mbikëqyr proceset e konkurseve për pozita të larta në polici, mendoj që duhet të përfshihet edhe këtu”, thotë ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.
Shndërrimi i saj në ushtri ishte paraparë të bëhej me ndryshime kushtetuese, që u pamundësuan për shkak të të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, të cilët sot paralajmëruan se do të kërkojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim të parlamentit.