Me një koment të vetëm në Twitter, Presidenti Donald Trump i la të habitur shumë njerëz në Uashington, duke ndryshuar rrjedhën e politikës amerikane në Siri dhe njëkohësisht, duke shpallur përfundimin e luftës kundër kalifatit të vetshpallur të grupit terrorist Shteti Islamik. Dhe, ndërsa zyrtarët amerikanë përpiqen të shpjegojnë arsyet për këtë ndryshim, shumë pyetje mbeten pa përgjigje.
E mërkura filloi si një ditë e zakonshme në Shtëpinë e Bardhë. Papritur, me një koment në Twitter, Presidenti Donald Trump shkaktoi habi në Uashington.
“Ne kemi mundur ISIS në Siri, arsyeja ime e vetme për të qenë të pranishëm atje,” shkruante ai.
Zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili shkoi në Pentagon për t’u takuar me Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
“A ka dhënë urdhër presidenti që trupat të tërhiqen nga Siria?” pyesnin ata.
Pentagoni më në fund konfirmoi se trupat amerikane po përgatiten të kthehen.
Vendimi shkaktoi habi në Kongres, madje edhe midis ligjvënësve republikanë të presidentit.
“Po përpiqem të mësoj se çfarë po ndodh,” tha senatori Lindsey Graham.
“Nuk e di kush e dha këshillën për këtë vendim, por është një gabim i tmerrshëm dhe, fatkeqësisht, mendoj se do të paguajmë një çmim nëse nuk ndryshohet”, tha kolegu i tij Marco Rubio.
Zyrtarët thonë se një pjesë e 2 mijë trupave amerikane në Siri tashmë janë duke u kthyer. Ata lenë pas një fushëbetejë të ndërlikuar, në të cilën u përballën jo vetëm me Shtetin Islamik, por u detyruan të vihen në garë edhe me trupat ruse dhe me forcat besnike ndaj Iranit, që ndonjëherë vepronin kundër ISIS-it, por gjithnjë në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili tani mund të ketë më shumë liri për të sfiduar interesat amerikane.
“Nëse trupat amerikane largohen, largohet edhe ky faktor frenues,” thotë eksperti Andrew Gabel.
Por kohët e fundit, madje javën e kaluar, zyrtarë të lartë amerikanë paralajmëruan se Shteti Islamik është shumë larg fundit dhe se 2 mijë luftëtarë të tij vazhdojnë të qëndrojnë në një sektor të fundit të të ashtuquajturit Kalifat në qytetin Hajin.
“Natyrisht, do të ishte e papërgjegjshme nëse themi se fizikisht Kalifati është mundur dhe se tani mund të largohemi”, thotë i dërguari amerikan Brett McGurk.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se barra për spastrimin e mbeturinave të Kalifatit u bie tani forcave partnere të SHBA, si SDF, një grupim milicish kurde.
Pyetja është se a do të vazhdojnë këto forca të përfitojnë nga fuqia ajrore amerikane dhe e koalicionit të drejtuar nga SHBA. Burimet i thanë Zërit të Amerikës se shumë njerëz mund të braktisin vijat e frontit për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Turqia, një kundërshtare e vjetër e kurdëve.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Presidentit Trump, i cili thotë se përsa i përket ISIS-it, misioni është kryer:
“Ne i kemi mundur dhe i kemi mundur keq. Kemi rimarrë tokat e pushtuara prej tyre dhe tani është koha që trupat tona të kthehen.”
voa