Vala e të ftohtit mbërthen mbi 70% të amerikanëve

NgricaNjë pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara janë mbërthyer nga i ftohti ekstrem. Në disa zona në qendër të vendit, temperatura të ulëta rekord kanë bërë të domosdoshme mbylljen e shkollave dhe qendrave të punës si dhe pezullimin e shërbimeve bazë. Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët se mund të pësojnë dëmtime të lëkurës dhe indeve nga ngrica. Pritet që temperaturat e acarta të vazhdojnë deri të premten në disa zona:

I ftohti, i shoqëruar me erë të acartë në Mineapolis të Minesotës ka bërë që të boshatisen rrugët. Njerëzit janë mbyllur brenda për t’u mbrojtur nga temperatura që ka arritur -20 gradë celcius.

“Është ngricë. Nuk kam provuar të ftohtë të tillë. Por s’ka problem. Është pjesë e jetës këtu në Minesota. Na pëlqen i ftohti,” thotë një banor.

Gjatë ditëve të ardhshme, mbi 200 milionë vetë ose 70% e popullsisë së Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë të përballen me ngrica. Mbi 25 milionë vetë në verilindje të vendit po përballen me temperatura të rrezikshme:

“Kur temperaturës atmosferike i shtohet edhe i ftohti i erës së acartë, rezultantja shkon në nivele shumë të rrezikshme,” thotë kryetari i bashkisë së Indianapolisit, Joe Hogsett.

Kryebashkiaku i Indianapolisit dhe zyrtarë të tjerë në pjesën qendrore të vendit kanë paralajmëruar banorët:

“Nëse e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpia, duhet të vishen trashë. Në këto kushte është shumë më i madh rreziku për vdekje nga të ftohtët dhe për dëme ndaj lëkurës e indeve,” thotë zoti Hogsett.

Zyrtarët po i nxisin udhëtarët të tregohen të kujdesshëm:

“Gjithmonë dëgjojmë që dikujt i ka ngecur makina në një zonë të humbur dhe mendojmë se nuk do të na ndodhi ne. Por në kohë dimri duhet të jemi të jemi të pajisur më së miri në makinë. Merrni batanije, ngrohës portativë duarsh,” thotë Dr. Tom Waters.

Guvernatorët e shteteve Ilinoi, Miçigan dhe Uiskonsin kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Disa qendra banimi kanë mbyllur shkollat dhe kanë pezulluar shpërndarjen e postës, mbledhjen e plehrave, transportin urban dhe shërbime të tjera publike. Ekipet e emergjencës po punojnë për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë.

“Aktualisht kemi 26 çarje në tubat kryesore të ujit në qytetin e Detroitit. Sa herë ka luhatje ekstreme të temperaturës shkaktohen çarje të tubave,” thotë një punonjës i Agjencisë së Ujit dhe Kanalizimeve në Detroit.

Meteorologët thonë se moti ekstrem i këtyre ditëve ishte rezultat i luhatjeve atmosferike në Polin e Veriut. Një rrymë ajri të ngrohtë nga Afrika Veriore, e cila ka lëvizur drejt veriut, ka shtyrë ajrin e ftohtë të polit drejt Amerikës së Veriut, deri poshtë në Florida.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>