Minatorët e Trepçës shqyrtojnë letrën e qeverisë

Minatorët do të përgjigjen sot në letrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa i cili u ka bërë thirrje t’i japin fund grevësKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një letër dërguar minatorëve të Trepçës, i ka siguruar ata se qeveria e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i Trepçës të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Në letër, kryeministri Mustafa, ka sqaruar hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës të cilat, siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, “kanë shmangur falimentimin e Trepçës dhe kanë siguruar perspektivë zhvillimore për të”.

“Kryeministri Mustafa po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar asnjë veprim që do të dëmtonte interesat e Trepçës dhe të shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ndërprerjen e grevës dhe që të gjithë së bashku, t’i përkushtohen punës në interes të vendit, në interes të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Minatorët dhe këshilli grevist janë duke e shqyrtuar letrën dhe mundësitë që t’i japin fund grevës së filluar të martën një grevë, duke kërkuar shpjegime rreth fatit të këtij kompleksi dhe miratimin e një ligji të veçantë, në bazë të së cilit ky kompleks të shndërrohet në ndërmarrje publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

Greva pasoi miratimin e ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit të minierave Trepça. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë në ndërmarrje publike.

Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit, ndërsa qeveria tha se për të duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, që sipas vlerësimeve arrijnë në rreth një miliardë e 400 milion euro.

Ndryshimet në qasjen e qeverisë nxitën reagime edhe të opozitës e cila e akuzoi atë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>