Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se marrëdhënia e ngushtë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pacenueshme, pavarësisht dallimeve që shfaqen ne opinione, ndërsa ritheksoi qëndrimin se tarifat ndaj mallrave serbe hiqen bashkë me njohjen nga Serbia.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas vendosjes së tarifave ndaj mallrave serbe, për shkak të të cilave janë pezulluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila kushtëzon bisedimet me heqjen e tarifave.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tyre dhe tashmë kanë ndërmarrë edhe veprime trysnie ndaj qeverisë e cila refuzon të bëjë një gjë të tillë.
Një ditë më parë u publikua vendimi për anulimin e një vizite të planifikuar të komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr. në Kosovë, për shkak të tarifave të Kosovës.
Ambasadori Kosnett nuk ka komentuar takimin e sotëm me kryeministrin Haradinaj i cili tha ndërkaq se “është qëndrim i qartë i Departamentit të Shtetit por edhe institucioneve tjera të Amerikës, pra janë unik dhe ata sugjerojnë që të pezullohet taksa që t’i hapet rrugë dialogut dhe është përsëritur edhe sot në takim dhe është një qëndrim i qartë i institucioneve të Amerikës“.
Ai ritheksoi se tarifat janë të lidhura me njohjen nga Serbia dhe nuk duhet të ndërlidhen me bisedimet.
“Unë mendoj që përkundër faktit që të gjithë dëshirojmë të shprehim dashurinë për Amerikën edhe respektin dhe vërtetë ne jemi, por kjo nuk ka të bëj me përvojën time me partneritet me Amerikën, kjo ka të bëjë me një proces 20 vjeçar me Serbinë që e ka lodhë Kosovën, jemi lodhë nga një gjendje e pritjes, nga një dialog që fillon e ndalet dhe i ka kushtuar Kosovës një proces i tillë. Unë jam kundër kësaj logjike më dhe do t’i mbetem besnik bindjes se ekziston mënyra për të hequr taksën, por duhet ta përgatisim një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, pra marrëveshja e heq taksën, marrëveshje detyruese ligjore për njohje“, theksoi ai.
Pezullimin e tarifave e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian ndërsa pakënaqësinë me to e shprehu të martën edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke paralajmëruar se ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë të enjten qasjen e aleancës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, shndërrimi i së cilës në ushtri është votuar në dhjetor të vitit që lamë pas nga parlamenti i Kosovës.
“Disa aleatë mendojnë se ishte kohë e papërshtatshme për vendimin e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës ne ushtri, disa aleatë kanë shprehur zhgënjimin me tarifat dhe e kanë bërë të qartë se Forcat e Sigurisë duhet të respektojnë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e Brukselit se nuk do të hyjnë në veriun e Kosovës pa lejen apo mbështetjen e komandantit të KFOR-it“, tha ai.
Sekretari Stolteneberg tha se nuk ka ende ndonjë vendim rreth qasjes ndaj Forcës së Sigurisë, ndërsa theksoi se misioni i forcave paqeruajtëse të KFOR-it mbetet i pandryshuar.
Vendimi i Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të saj nxiti reagim në Beograd dhe pakënaqësi tek një pjesë e vendeve anëtare të NATO-s, por u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të cilat ndërkaq po i kërkojnë Kosovës të pezullojë tarifat dhe të shmang kësisoj fajësimin për bllokimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
voa