Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, David Hale, do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se “në Beograd ai do të zhvilloje bisedime me zyrtarët serbë dhe do t’i shtyjë drejt kthimit në tryezën e negociatave. Hale do të diskutojë edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor”.
Më pas, më 9 mars, ai do të jetë në Prishtinë me takime me udhëheqësit e lartë të Kosovës “përpara të cilëve do të nënvizojë mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.
Hale do të bëhet kështu zyrtari më i lartë amerikan që viziton kohët e fundit Kosovën për të nxitur autoritetet që të hapin rrugën për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, të cilat janë pezulluar për shkak të kushtëzimit të tyre nga Beogradi me pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe, që u vendosën nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Javën e kaluar, edhe dy zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA qëndruan në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave, ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Prishtina vazhdon t’i refuzojë kërkesa të tilla.
Top Channel