Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan po përdor gjithë peshën e tij politike në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve lokale në Stamboll, sipas së cilave partia e tij AK ka humbur.
Duke folur para gazetarëve të hënën para se të shkonte në Moskë, zoti Erdogan vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e votës.
“Ne, si parti politike kemi vërejtur krim të organizuar dhe disa aktivitete të koordinuara”, tha ai.
Deri tani, zoti Erdogan dukej se ishte tërhequr nga debati gjithnjë e më i ashpër politik lidhur me suksesin e partisë opozitare Republikane të Popullit (CHP) në Stamboll. AKP-ja në Stamboll po sfidon rezultatin e zgjedhjeve të 31 marsit, në përpjekje për të përmbysur epërsinë prej 24 mijë votash të Ekram Imamoglut ndaj Binali Yildirimit.
Përpjekjet e AKP-së e ngushtuan epërsinë, duke e çuar në 15 mijë. Por rinumërimi i 300 mijë votave të pavlefshme pothuajse ka përfunduar. AKP-ja po kërkon tani një rinumërim të plotë të afro 10 milionë votave.
Presidenti Erdogan hodhi gjithashtu idenë e një përsëritjeje të votimit në Stamboll.
“Askush nuk ka të drejtën të thotë ‘Fitova’ me një diferencë prej 13 mijë ose 14 mijë votash”, tha ai.
“Ne bëmë një premtim. Ne thamë se do të mbronim votat në kutitë e votimit, dhe ashtu bëmë. Pasi mbrojtëm votat në kutitë e votimit, kemi vazhduar të bëjmë të njëjtën gjë në procesin që e pasoi atë”, shtoi ai.
Ideja e përsëritjes së votimit u shpërfill nga udhëheqësit e opozitës.
“Të përsëritësh zgjedhjet deri kur të fitojë AKP-ja, është diçka që ndodh në diktaturat afrikane. Ka shembuj të tillë”, tha udhëheqësi i Partisë së Mirë, Meral Aksener.
Me tensionet politike në rritje lidhur me votimet e debatueshme, udhëheqësi i CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, ia la përgjegjësinë Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.
“Çfarëdo që ka bërë AKP-ja deri tani, nuk i ka ndryshuar rezultatet. Anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve duhet veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të vendosin në përputhje me ligjin. Bëhet fjalë për fatin e demokracisë sonë”, tha zoti Kilicdaroglu.
Shumica e Komisionit përbëhet nga të emëruar të zotit Erdogan dhe qeverisë. Vendimet e tij për rinumërim kanë ngjallur tashmë dyshime për paanshmërinë e tij.
“Organizmi i mbikqyrjes së zgjedhjeve, YSK që duhet të jetë i pavarusr dhe që do të marrë vendimin për apelimin për Stambollin, deri tani ka pranuar 86 për qind të kërkesave të AKP-së për rinumërim, vetëm 12 për qind të atyre të CHP-së dhe 0 për qind të HDP-së (pro-kurde)”, shkruante në Twitter Sonar Cagaptay, drejtor i Programit të Studimeve për Turqinë në Uashington.
Megjithatë YSK-ja hodhi poshtë kërkesën e AKP-së për një numërim të plotë të votave për zgjedhjet bashkiake në Ankara, ku CHP-ja fitoi kontrollin e qytetit pasd 25 viteve. Në Stamboll, komisioni hodhi gjithashtu poshtë apelimin për përsëritjen e zgjedhjeve për një distrikt bashkiak.
Analisti Atilla Yesilada i Partnerëve për Burime Globale tha se ndërhyrja e Presidentit Erdogan në debat, ndryshon relievin politik.
“Megjithëse YSK-ja ka treguar në një farë mase se ka shtyllë kurrizore gjatë këtij debati, nuk duhet të gënjejmë veten. Asnjë entitet në Turqi nuk ka guxim t’i bëjë ballë zemërimit të Erdoganit”, tha ai.
Kritikët paralajmërojnë se përmbysja e rezultatit dhe përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll, do ta shuante çdo besim të turqve në sistemin politik demokratik të Turqisë.
Vëzhguesit thonë se rreziqet politike dhe ekonomike do të ishin të konsiderueshme nëse zgjat beteja politike për Stambollin që ka qenë baza politike e Erdoganit për 25 vjet.
voa