Të dielën (më 5 maj) në Maqedoninë e Veriut mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Kandidatë janë: Stevo Pendarovski nga koalicioni qeveritar i udhëhequr nga social demokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DMPNE-së opozitare. Mirëpo, këto zgjedhje do të jenë të vlefshme vetëm nëse në votime dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues.
Pikërisht dalja e votuesve vlerësohet të jetë shumë kritike për këto zgjedhje duke marrë parasysh se në rrethin e parë të votimeve pjesëmarrja ka qenë vetëm 41.79 për qind.
Në rrethin e parë të mbajtur më 21 prill në garë ka qenë edhe kandidati që ka pasur mbështetjen e opozitës shqiptare, Blerim Reka.
Reka të enjten iu bëri thirrje votuesve të tij që të dalin në votime në rrethin e dytë të zgjedhjeve pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të shpëtohet procesi i integrimit euro-atlantik të vendit.
Ai mohoi të ketë pasur takime me kandidatët apo liderët partiak për të mbështetur ndonjërin nga kandidatët për president.
Blerim Reka: ” Të nderuar qytetare dhe qytetarë,
Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falemnderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.
Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidencijale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë- me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.
Edhe sot po e përsëris ate që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregëtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.
Tregëtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja.
Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.”
Dalja e ulët e votuesve në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut, ka hapur debatet se çfarë do të ndodhë nëse në raundin e dytë nuk arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind.
Nga Qeveria në disa raste nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në rast të dështimit, zgjidhjen ta kërkojnë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor.
Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do të ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që do të ishte shqiptari i parë në postin më të lartë shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Ai këtë post do ta ushtronte deri në gjetjen e mekanizmave për formën e zgjedhjes së presidentit të ri.
voa