Kosova dhe Serbia pas Berlinit e para Parisit

Ramush Vejseli ThaciKryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se udhëheqësit e institucioneve do të jenë të bashkuar në zgjidhjen e çështjeve me Serbinë dhe asnjëherë nuk do të ketë diskutime për shtetin dhe sovranitetin.

Ai i bëri këto komente pas takimit të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, për të diskutuar zhvillimet pas takimit të Berlinit dhe para atij që pritet të mbahet në Paris me organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli tha se Kosova do të shkoj në Paris dhe atë me vetëm një qëllim, për të siguruar njohjen e saj.

“Ne po flasim për obligimet që duhet t’i merr Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vet, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Për ne me rëndësi është ky proces, ne do të marrim pjesë në procese të tilla kudo që na ftojnë në mënyrë të unifikuar dhe qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është vetëm një Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me sovranitet dhe integritet të pa cenuar”, tha zoti Veseli.

Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, në një përpjekje për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi ishte edhe një qortim ndaj shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, të cilës posaçërisht Gjermania, i ka parë për të madhe që ka lejuar të diskutohet për kufijtë si dhe dështimin për të rifilluar bisedimet. Për një pjesë të përfaqësuesve politik dhe vëzhguesve, takimi i Berlinit u dha fund ideve për prekje kufijsh.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të premten se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ka rënë tashmë dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë. Ndërkaq në një shkrim autorial, ai tha se pa evropianët nuk mund të ketë zgjidhje në Ballkan.

Procesi i bisedimeve i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të biseduar pa u hequr tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Mos pezullimi i tyre, i kërkuar edhe ne Berlin, ka acaruar edhe marrëdhëniet ndërmjet udhëheqësve të Kosovës, por kjo çështje sipas zotit Veseli nuk duhet të diskutohet. Ai tha se vendimi për tarifat do të merret në pajtim me interesat shtetërore.

“Nuk e kemi ndërmend të marrim vendim i cili e vë në qosh asnjë udhëheqës të shtetit të Kosovës, nuk do të nënshtrohemi kurrë ndaj (Aleksandër) Vuçiçit dhe Serbisë. E marrim vendimin siç është interesi ynë i përbashkët si shtet, me maturi dhe mençuri dhe me atë se çka thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian”, tha zoti Veseli.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Ballkani Perëndimor, ku çështje qendrore tashmë janë marrëdhëniet Kosovë – Serbi pritet të jetë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës në Berlin të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili në fillim të javës së ardhshme do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>