Papa Françesku po qëndron të martën për një vizitë në Maqedoninë e Veriut, vizita e parë papale në historinë e vendit prej 2.1 milionë banorëve.
Nën masa të rrepta sigurie ai u prit fillimisht nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, dhe më pas u lut tek shtatorja e të shenjtës Nënë Tereza, nobelistes shqiptare të lindur në Shkup.
Duke ju drejtuar autoriteteve në pallatin presidencial në Shkup, Papa Françesku vlerësoi atë që ai e quajti “kryqëzim i kulturave dhe identiteteve etnike dhe fetare” të vendit me emër ë ri, që mund të shërbejë si shembull për të tjerët.
“Këto veçori janë gjithashtu shumë të rëndësishme për një integrim më të madh me kombet e Evropës. Shpresoj që ky integrim të zhvillohet në një mënyrë të dobishme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me respekt të palëkundur për diversitetin dhe për të drejtat themelore”, tha Papa Françesku.
Edhe para vizitës në Shkup, ai kishte shprehur besimin për thellimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.
“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresën dhe dinjitetin të varfërve”, thuhej në porosinë e Papa Françeskut, para se të arrinte në Shkup.
Të martën ai vlerësoi lartë Nënë Terezën për punën e saj për bashkimin e njerëzve duke i bërë thirrje presidentit Ivanov, që të ndjekë shembullin e saj.
Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, shpresojnë se Papa Françesku do të inkurajojë integrimin e vendit në institucione evropiane pas zgjidhjes së konfliktit shumëvjeçar me Greqinë për emrin e Maqedonisë dhe zgjedhjes së presidentit pro evropian.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005, por ende është në pritje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ajo shpreson të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s deri në fund të këtij viti.
voa