KE: Negociatat me Shqipërinë të hapen tani

MogheriniShqipëria mori sot sërish rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Komisioni europian nënvizoi se ky është një hap që duhet ndërmarrë tani. Në raportin për vendin, Komisioni europian vlerëson përparimin e bërë, duke vënë theksin te ecuria e Reformës në Drejtësi e vecanërisht në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fjala e fundit megjithatë i mbetet vendeve anëtare, udhëheqësit e të cilave do të mblidhen pas tre javësh ku pritet të shqyrtohet dhe kjo çështje

I pari që dha njoftimin për vendimin e Komisionit europian ishte Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn në prezantimin në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit europian të Raporteve për vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Duke vlerësuar ecurinë, si të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ai tha se “të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”.

Një shpjegim pak më të detajuar komisioneri Hahn dha më pas në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit europian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ku ai renditi përparimin që sipas tij Shqipëria ka bërë me Reformën në Drejtësi, me atë të administratës publike, apo në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vuri në dukje dhe bashkëpunimin e policisë shqiptare me agjensitë homologe të vendeve anëtare. Zonja Mogherini nga ana e saj u vuri theksin te Reforma në Drejtësi: “Në vecati më lini të nënvizoj zbatimin mbresëlënës të Reformës së thellë dhe ambicioze në Drejtësi. Procesi i riverësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve po jep rezutate të prekshme”

Në një përmbledhje të vlerësimit për Shqipërinë, drejtuar Parlamentit dhe Këshillit, theksohet se “për të mbështetur vijueshmërinë së reformave, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vijojë të rregjistrojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik që shkon përtej ndarjeve mes partive, është gjithashtu i nevojshëm për të mbështetur dhe konsoliduar përparimin e bërë nga vendi”, thekson dokumenti.

Lidhur me situatën politike Komisioni shprehet se “partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian”.

Edhe kryeministri Edi Rama, i cili mori Raportin nga ambasadori i Delegacionit europian Luigi Soreca pati një apel për opozitën: “Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e radhës. Është mirë që të mos furnizojmë ata, të cilët mund të jenë të lëkundur, apo mund të jenë në kërkim të arsyeve për të thënë “Jo” me pamje të gënjeshtërta, që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana, protestash që janë partiake, nuk janë popullore”.

Situata politike natyrisht që mund të ketë ndikimin e saj në vendimin e vendeve anëtarë, mes të cilave sërish nuk mungojnë skeptikët, aq më tepër kur diskutimet për rezultatet e zgjedhjeve europiane janë ende të zjarrta, ndërsa udhëheqësit e vendeve kryesore do të duhet të mendojnë që tani për qasjen e ardhshme të Bashkimit por dhe për figurat e reja të cilave do t’u besojnë drejtimin e ardhshëm të institucioneve europiane.

Kryeministri Rama u shpreh se gjatë 3 javëve të mbetura, deri në mbledhjen e 20-21 Qershorit të Këshillit europian, qeveria do të bëjë gjithshka për të inluencuar gjykimin politik të vendeve anëtare, ndërsa u shpreh i kënaqur, por jo i surprizuar, për rikonfirmimin e rekomandimit të Komisionit.

Sic theksoi dhe zonja Mogherini “ky është një rekomandim i bazuar në një vlerësim solid. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë pjesën e tyre të punës, tani i takon Bashkimit europian të përmbushë pjesën e tij”.

Edhe Komisioneri Hahn, në komentet e tij ishte në të njejtën linjë kur tha se “që të mbetemi të besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe të përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”.

Në përmbledhjen e vlerësimit për Shqipërinë, vihet në dukje se vendi “ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe dëshmoi vendosmërinë e tij të vazhdueshme për të përparuar me agjendën e Bashkimit Europian. Shqipëria ka patur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht lidhur me kushtet e përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht”.

Komisioni Europian thekson se “zbatimi i Reformës në Drejtësi ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultate konkrete janë arritur në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu”.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni vëren se “kanë vijuar përpjekje të vendosura, përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime. Vitet e fundit, Shqipëria tregoi në vijim, një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”. Po ashtu vlerësohet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë shqiptare, veçanërisht me Shtetet anëtare të BE-së, i cili “është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë”. Por sipas Komisionit “krijimi i një regjistri të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjatë që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimin operacional me Shtetet Anëtare të BE-së.
Reforma e administratës publike, thekson dokumenti, “vijoi me objektivat e përgjithshme të rritjes së profesionalizmit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit për shërbimin civil, si dhe forcimin e politikë-bërjes duke konsoliduar strukturat e koordinimit sektorial dhe krijimin e kuadrit rregullator për vlerësimin e ndikimit. Masat për përforcimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe personat që u përkasin minoriteteve dhe romëve, si dhe politikat kundër diskriminimit, u ndoqën më tej. Rritja ekonomike u rrit më tej nga 3.8% në 2017 në 4.2% në vitin 2018 dhe papunësia dhe deficiti buxhetor ranë edhe pse mbetën të larta. Mungesa e njohurive, nivelet e ulëta të arsimit dhe të transferimeve teknologjike pengojnë konkurrencën e saj dhe integrimin në zinxhirët e vlerave ndërkombëtare”, vë në dukje Komisioni.

(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>