Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të premten se ka kërkuar nga ministria e Jashtme që shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara të shpallet person i padëshiruar.Ai ishte ndaluar të martën gjatë operacionit të policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.
Shtetasi rus, i cili u lirua po atë ditë, ishte ndaluar gjatë ndërhyrjes së policisë për të larguar nga rruga barrikadat e vendosura nga serbët lokal në komunën e Zubin Potokut. Policia tha se në njërën nga barrikadat ishte një makinë e UNMIK-ut dhe dy punonjës të kësaj organizate.
Të premten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se i ka kërkuar ministrisë së Jashtme që në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të shpallet person i padëshirueshëm shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov.
“Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin. Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit!”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Ramush Haradinaj.
( A mund të shpallet punonjësi i OKB-së person i padëshirueshëm?
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nuk e ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shpalljen e punonjësit të saj person të padëshirueshëm.
Në fillim të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres, kishte theksuar se një gjë e tillë “nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara”, duke reaguar ndaj vendimit të qeverisë së Somalisë e cila e shpalli “të padëshirueshëm”, përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së atje, Nicholas Haysom.
“Siç thuhet në Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, doktrina për personat e padëshirueshëm, zbatohet për marrëdhëniet diplomatike dypalëshe ndërmjet shteteve. OKB-ja nuk është shtet dhe personeli i saj nuk është i akredituar në vendet ku ata janë të vendosur, por punojnë nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm “, thuhej në reagimin që mban datën 4 janar të këtij viti.)
Ndalimi i tij të martën kishte nxitur edhe reagimin e shefit të misionit të UNMIK-ut Tahir Zanin, i cili tha se “çdo lëndim i pjesëtarëve të UNMIK-ut do të përballet me përgjigje ligjore diplomatike e ndërkombëtare”.
Ministria e Jashtme ruse kërkoi “llogaridhënie nga përgjegjësit për këtë incident”, ndërsa shefi i saj, Sergey Lavrov kritikoi operacionin e Prishtinës, duke vlerësuar se provokimet e tilla janë të dobishme për ata që duan të krijojnë një “tampon zonë” ndërmjet Rusisë dhe Ballkanit. Që kjo të ndodhë, ata kanë nevojë t’i fusin të gjithë në NATO”, tha ai të mërkurën gjatë një vizite në Lubjanë të Sllovenisë.
Mikhail Krasnoshchenkov, tashmë ndodhet në Serbi, ku është shtruar në spitalin e Beogradit për trajtim pas lëndimeve të pësuara në operacionin e policisë.
Të premten ai u vizitua nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se operacionet si ai i fundit në Kosovë, kanë për qëllim “t’u fusin serbëve frikën në palcë”.
Ai tha se shqiptarët e “kanë vetëm një faltore ku luten – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk çajnë kokën për çfarëdo që bëjnë kundër Rusisë dhe Serbisë. Për ta është me rëndësi që t’i lavdëroj misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë për aksionin kundër korrupsionit”, tha ai duke ju referuar deklaratës së zotit Lane D. Bahl në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë se “Shtetet e Bashkuara përshëndesin përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit”.
Operacioni i Policisë së Kosovës, ka thënë ai, “ishte një përpjekje për ta bërë këtë. Autoritetet arrestuan individë të dyshuar për përfshirje në kongtrabandë dhe krim të organizuar. Policia arrestoi të dyshuar të shumë grupeve etnike. Operacioni u krye në disa zona të Kosovës dhe jo vetëm në veri”, tha mes tjerash ai duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të “shmangin veprimet që përshkallëzojnë tensionet”.
Prishtina tha se operacioni ishte drejtuar kundër personave të përfshirë në veprimtari kriminale dhe i bëri thirrje Beogradit të mos e politizojë atë dhe të mos vihet në krah të keqbërësve.
voa