Minatorët nuk përfillin qeverinë, vazhdojnë grevën

Mbi 400 minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça”, po vazhdojnë grevën edhe në ditën e dytë, duke kërkuar nga autoritetet kompetente që të miratojnë një ligj të veçantë, në bazë të së cilit ky kompleks të kaloj në pronësi të Qeverisë së Republikës se Kosovës.Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin “Trepça”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se minatorët janë këmbëngulës të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesës se tyre.

Ai thotë se mbetja e pozicionit të “Trepçës” nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nënkupton pengim për zhvillimin e kësaj ndërmarrje.

Minatorët janë duke qëndruar në horizontin e tetë të minierës së “Trepçës”në Stantërg.

“Ky status i paqartë në një institucion që nuk jep hapësirë zhvillimi, duke qenë nën AKP, do të thotë të jesh i penguar për të ecur më tutje, është një mbijetesë e pa perspektivë, pa mundësi investimesh, pa mundësi të planeve zhvillimore. Elementi bazë është për të krijuar parim të zhvillimit”, tha Tmava.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, është ndërmarrje shoqërore dhe si e tillë menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ku shndërrimi eventual në ndërmarrje publike nënkupton kalimin e saj në pronë të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, e konsideron të pa arsyeshme mbajtjen e grevës se minatorëve, pasi siç ka thënë ai, zgjidhja e problemit të kombinatit “Trepça” kërkon kohë.

“Ne konsiderojmë se arsye nuk është që të bëhet grevë në “Trepçë” sepse punëtorët janë të sigurt, “Trepça” është e sigurt, por asnjë gjë për “Trepçën” nuk mund të zgjidhet për një , dy ose tri ditë”.

“Unë mbrëmë kam biseduar më udhëheqësit e “Trepçës” dhe i kam sugjeruar që të vazhdojnë punën, që mos të ndërpritet, por nuk shoh asnjë arsyje që minatorët të qëndrojnë brenda sepse problemi do të zgjidhjet, por mund të zgjidhet vetëm në mënyrë normale dhe më një procedurë normale dhe më kohë”, ka thënë Mustafa.

Greva e minatorëve ka filluar pas vendimit të Qeverisë se Kosovës, kur të hënën është hequr nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës çështja e pronësisë se kombinatit “Trepça”, kjo në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.

Kuvendi i Kosovës, ndërkaq më procedurë të shpejtë ka miratuar një ligj tjetër, atë për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit “Trepça”.

Edhe drejtori i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg, Qazim Jashari, tha se minatorët nuk pajtohen më miratimin e këtij ligji dhe nëse qeveria nuk ndërmerr ndonjë vendim, Jashari ka paralajmëruar masa më radikale veprimi.

“Ky ligj vetëm e ka prolonguar çështjen e “Trepçës” për një kohë, sepse neve ende na menaxhon Agjencia Kosovare e Privatizimit, edhe është prolonguar afati i falimentimit për 18 muaj. Ne nuk jemi të kënaqur. Minatorët kërkojnë ligj të veçantë për “Trepçën” që kjo ndërmarrje të jetë publike“.

Por, zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar se ligji i miratuar të hënën krijon kushtet për punë normale të “Trepçës’, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike kanë vlerësuar se në seancën e të hënës në Kuvendin e Kosovës, është parë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë prej synimit parësor që “Trepçën” ta shndërrojë në ndërmarrje publike, duke u dorëzuar përballë presionit nga Serbia, si dhe faktorëve tjerë.

Por, në një postim në rrjetin social facebook, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e solli Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, vendorët dhe ndërkombëtarët.

Por, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndryshimin e ligjit për organizimin e ndërmarrjeve, evitoi mundësinë e falimentimit.

“Qeveria dhe Kuvendi janë të ndërgjegjshme të marrin të gjitha vendimet dhe masat më të mira për këtë kombinat dhe për ardhmërinë e këtij vendi”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Kombinati “Trepça”, aktualisht merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Ky kompleks operon në dy njësi, në jug dhe veri të Mitrovicës.

Por, përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-ta, me mbi 20 mijë punëtorë. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>