Memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016, i vendosur në një zonë të Parkut të madh të Liqenit në Tiranë, është dëmtuar sot në orët e para të mëngjesit “nga persona të paidentifikuar”, njoftoi policia shqiptare përmes një komunikate për ngjarjen. Sipas saj, pllaka e mermertë “është goditur me sende të forta”, dhe është thyer në njërin cep të saj.
Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inaguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”. Ajo mbeti larg fokusit të mediave, të cilat e trajtuan më pas me bujë këtë ngjarje disa javë më vonë.
Reagimet qenë të shumta, për shkak se monumenti i kushtohej një ngjarjeje të lidhur ngushtësisht me një vend të huaj e për më tepër me zhvillimet e brendshme politike atje. Kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar Erion Veliaj evitoi më vonë të jepte shpjegime, duke deklaruar vetëm se“në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet”, por pa treguar nëse mund të hiqej një paralele mes pikave të tjera, të cilave ai referohej dhe këtij Memoriali. Zoti Veliaj e reduktoi reagimin e tij ndaj kritikave që ka ngjallur një ngjarje e tillë, te respekti që duhet treguar për të vdekurit, duke ju shmangur thelbit të debatit. “ Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.
Ende dhe sot, Bashkia nuk ka sqaruar se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë. E po ashtu edhe nëse ka patur ndonjë akt të Bashkisë për emërtimin e rrugës apo parkut, gjë e cila është kompetencë e saj dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.
Fillimisht Bashkia e Tiranës, u duk se kërkonte t’i rrinte larg kësaj ngjarjeje. Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në ceremoninë e 15 korrikut, madje asnjë përfaqësues i saj nuk mori pjesë. Ndërkohë që Bashkia u përfaqësua në nivel të lartë, me zëvendësin e zoti Veliaj, nënkryetarin Arbjon Mazniku.
Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta ,me kreun e Shtetit turk, i cili ka fajësuar klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO, për grushtin e dështuar të Shtetit
Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte dikutuar me homologun e tij shqiptar Sandër LLeshaj por dhe me kryeministrin Edi Rama për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim,” tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.
voa