Pas bisedimeve maratonë dështoi takimi midis kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të opozitës maqedonase Hristijan Mickovski për një marrëveshje mbi ligjin për Prokurorinë Publike.
Kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje para mediave pas takimit, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit (11.09)akuzoi kreun e opozitës që ka tentuar t’i mbrojë ish-zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për shpërdorim detyre në periudhën e qeverisjes së vendit.
“Sinqerisht, jam i dëshpëruar nga epilogu i takimit të liderëve dhe sjellja e opozitës. Kisha shpresë se do të arrijmë një zgjidhje dhe të ecim përpara, por kërkesa e opozitës është kundër çdo logjike, është kundër BE-së, NATO-s, kundër vlerave e parimeve të shtetit ligjor. Besoja se më në fund do të heqin dorë nga paraardhësit e tyre, do të lenë anash Gruevizmin dhe do të punojnë për të ardhmen e vendit, por kjo nuk ndodhi. VMRO-DPMNE-ja kërkon që lëndët e Prokurorisë Speciale të jenë nën kontrollin e tyre, të mbyllet procedimi i tyre, të gjitha procedurat para-hetimore dhe hetimore, që të heshtim krimin që është bërë. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Gjithnjë sipas kryeministrit në interes të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, pozita ka ofruar formimin e një prokurorie të re që do të ndjekë korrupsionin e lartë dhe ku prokurori i parë do të zgjidhet me propozim të opozitës. Ai është shprehur i gatshëm për vazhdimin e negociatave – apo siç ka thënë – është në pritje të opozitës nëse do të ndërrojë mendjen dhe të pranojë kompromisin e qeverisë.
VMRO-DPMNE akuzon Zaevin për dështimin e negociatave
Nga VMRO-DPMNE-ja hedhin poshtë pretendimet e kryeministrit Zaev duke theksuar se është pikërisht ai që nuk dëshiron marrëveshje. Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hrisitian Mickoski ka akuzuar kryeministrin Zoran Zaev se në takim ka ardhur me plan të mos arrihet marrëveshje dhe t’i mbrojë krimet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Sipas Mickoskit, është mëse e qartë se Zaevi ka ardhur në takim me plan jo vetëm B, por edhe plan C.
“Zaev propozoi formim të prokurorisë për korrupsion të lartë në nivel të njëjtë si prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, prokurorin ta propozojë partia më e madhe opozitare, dhe këto dhjetëra ndihmës të ndihmësve të Janevës së bashku me rastet e PSP-së të inkorporohen në kuadër të prokurorisë të re, pa u respektuar Ligji i prokurorëve të cilin praktikisht duhet ta propozojë Këshilli për prokurorë se cilët prokurorë duhet të punojnë atje”, u shpreh Mickoski,
Osmani: BDI nuk është pjesë e problemit
Në takimin Zaev-Mickovski nuk kanë marrë pjesë asnjë nga partitë politike shqiptare. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka treguar arsyet pse BDI nuk mori pjesë në takimin e liderëve.
“Si parti nuk ishim në takim pasi nuk jemi pjesë e problemit. Ne si qeveri kemi qëndrime të harmonizuara dhe bashkërisht kemi hartuar draft-ligjin duke përfshirë në të edhe vërejtjet e BDI-së”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Kryeministri Zoran Zaev është i prerë se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të negociatave për arritjen e marrëveshjes midis pozitës dhe opozitës për Ligjin e ri të prokurorisë speciale
Më 15 shtator përfundon mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva, e cila për momentin është në paraburgim si e dyshuar për rastin “Zhvatja”. Prokuroria publike ka kërkuar nga Pprokuroria speciale marrjen e të gjitha lëndëve që kanë qenë nën kompetencat e kësaj prokurorie. Prokurorët që do të veprojnë me këto lëndë do të caktohen nga prokurori publik Lubomir Joveski.
dw