Një delegacion i Komisionit të Venecias që ndodhet në Shqipëri, tha të mërkurën se pas një muaji, më 11 tetor, Komisioni do të nxjerrë njëraport me përfundimet lidhur me ligjshmërinë e akteve të presidentit Meta mbi zgjedhjet vendore; anullimin e datës 30 qershor, dhe dekretimin e tyre për në 13 tetor.
Delegacioni zhvilloi të martën dhe të mërkurën në Tiranë një seri takimesh me autoritetet kryesore të shtetit dhe politikës shqiptare, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, lidhur me aktet e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për zgjedhjet vendore.
Delegacioni i Komisionit të Venecias u takua të mërkurën me komisionin hetimor parlamentar, që po ndjek procedurat shkarkimin e presidentit, pas nismës së një grupi deputetësh.
Një ditë më parë delegacioni zhvilloi takime me përfaqësues të partive politike, si dhe me presidentin Meta.
Të hënën zoti Meta deklaroi para komisionit hetimor parlamentar, se shtyu datën e zgjedhjeve vendore, sepse opozita nuk po merrte pjesë në votime dhe se me zgjedhje pa dy alternativa, qytetarëve u mohohej e drejta kushtetuese e zgjedhjes.
Zoti Meta tha se forcat politike ishin shumë konfliktuale gjatë qershorit, megjithë përpjekjet e tij për një takim paqtues, ndaj ai vendosi të shtyjë datën e zgjedhjeve pas njoftimeve për dhunë, incidente dhe një goditje të selisë së parlamentit me mjete zjarrvënëse.
Shumica socialiste ftoi Komisionin e Venecias të japë një interpretim të çështjeve kushtetuese, që lindën pas anullimit të 30 qershorit nga Presidenti.
Përfaqësues të të majtës janë shprehur se ky opinion i Komisionit të Venecias do të jetë udhërrëfyes edhe punën e mëtejshme të Komisionit Hetimor parlamentar.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, pasi parlamenti të votojë shkarkimin me shumicë dërrmuese të votave. Presidentin e Republikës mund ta shkarkojë për shkelje të rëndë të Kushtetutës, vetem Gjykata Kushtetuese me një vendim përfundimtar.
voa