Përplasje të forta në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, (IKMT) kishte planifikuar nisjen e prishjes së disa godinave, që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së re. Forcat e shumta të policisë u shfaqën në mbështetje të ndërhyrjes së Inspektoriatit, hasën në një kundërshtim të fortë të disa prej banorëve.
Sipas një njoftimi të Policisë së Tiranës “një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë. Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak”.
Për të sprapsur banorët që kundërshtojnë ndërhyrjen, policia ka përdorur dhe gazin lotsjellës. Disa banorë mesohet se janë shoqëruar në komisariat. Gjendja më pas është qetësuar dhe nuk janë rregjistruar më përplasje të tjera. “Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese”, nënvizon deklarata e policisë.
Presidenti Ilir Meta u rreshtua në krah të banorëve. Përmes një postimi në Facebook ai shprehet se është “e papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre. Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme”, shkruan Kreu i Shtetit ndërsa i bën thirrje banorëve “të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog”.
Sipas IKMT-së janë 33 ndërtime që parashikohet të prishën në ëtë fazë. Për 21 prej tyre është zbatuar procedura e shpronësimeve ndërsa të tjerat mësohet se janë skualifikuar nga mundësia e legalizimit.
Tensionet në këtë zonë të kryeqytetit vijojnë që prej vitit të shkuar, kur nisën ndërhyrjet e para për ndërtimin e Unazës së re. Projekti u ndërpre, pasi u zbulua se në njërin prej Loteve, kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar dokumentat e paraqitura në garë. Më pas, autoritetet ndërshuan dhe projektin, ndërsa zhvilluan një tender të ri.
voa