Gjykata Penale në Shkup ka njoftuar se katër ish-drejtues të lartë shtetërorë do të gjykohen për ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, të cilat kishin ndodhur më 27 prill të vitit 2017.
“Katër ish-drejtues të lartë shtetëror: ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, ish ministri i Punëve dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasoski, ish shef i policisë sekrete, do të gjykohen si organizatorë të ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill të vitit 2017”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte ngritur aktakuzë kundër këtyre personave, në maj të vitit të kaluar, për veprën penale “rrezikim i rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Sipas hetimit të organit të akuzës, të pandehurit fajësohen për organizimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë protestave masive, së pari para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe pastaj për pushtimin me dhunë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Nga dhuna e protestuesve që kishin hyrë në Kuvend, pas hapjes së dyerve nga disa deputet të VMRO DPMNE-së, ishin lënduar shumë deputet ndërsa më së rëndi e kishin pësuar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Dhuna në Kuvend kishte ndodhur pas zgjedhjes së Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Zgjedhja e tij kundërshtohej nga partia VMRO DPMNE, e cila kishte nxitur aktivistët e saj por edhe disa shoqata tjera nacionaliste që të protestonin.
rel