Mangësitë në sundimin e ligjit dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit janë emëruesi më i spikatur që po ndikon negativisht mbi treguesin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, thotë Lidija Prokiç nga TI
Deutsche Welle: Zonja Prokiç, as në vitin 2019 nuk ka pasur ndonjë përmirësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur shohim Indeksin e perceptimit të korrupsionit (IPK 2020). Cilat janë arsyet?
Lidija Prokiç: Këtë vit ne analizuam marrëdhëniet midis politikës, parasë dhe korrupsionit, së bashku me ndikimin e rregullave të financimit të fushatave elektorale dhe mënyrën se si paraja ndikon mbi pushtetin politik dhe zgjedhjet. Ne jemi të mendimit se ato vende që kanë rezultate më të larta në IPK i zbatojnë më mirë rregullat e financimit të fushatave zgjedhore dhe vendimet politike i marrin pas konsultimesh me publikun e gjerë. Dimë edhe se këto probleme janë mjaft të spikatura në rajon. Në vend që politikanët të përpiqen për të hapur të dhënat e tyre financiare për publikun, ekziston një prirje për të ndryshuar rregulloret dhe për ta bërë më të lehtë fshehjen e burimeve të të ardhurave të partive politike ose zyrtarëve të rangut të lartë. Kjo shoqërohet me përpjekje për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit, raportimin në media dhe monitorimin nga shoqëria civile. Kur shikojmë këto zhvillime nuk është për t’u habitur që nuk ka përmirësime në indeks.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina janë përkeqësuar këtë vit. Në cilat fusha kanë pasur rezultatet më të ulëta?
Kur shikojmë këto vende, mangësitë në sundimin e ligjit dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit janë emëruesi më i spikatur që po ndikon në rënien e IPK-së së këtyre vendeve. Mungesa e aftësive për të ndjekur penalisht rastet e mëdha të korrupsionit dhe aferat korruptive të anëtarëve të gjyqësorit po dëmtojnë seriozisht besimin te sistemi. Por pa përparim të fortë të gjyqësorit nuk mund të ketë përparime në përpjekjet kundër korrupsionit.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave me BE-në. A mendoni se hapja e negociatave do ta përmirësojë nivelin e tyre në IPK?
Hapja e negociatave është sigurisht një pikë referimi shumë e rëndësishme në procesin drejt anëtarësimit në BE. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi në procesin e pranimit në BE, por edhe kur duam të shohim përpjekjet efektive kundër korrupsionit, është përmbajtja – na duhen korniza ligjore strikte, institucione të pavarura dhe implementim konsekuent, vetëm atëherë mund të flasim për përparime të vërteta. Për momentin ato që ne shohim janë disa hapa në drejtimin e duhur, por zbatimi i tyre është mjaft i dobët. Shoqëria civile dhe media duhet të jenë të lira dhe të luajnë rolin e tyre për të kërkuar llogari nga qeveritë dhe qe vendimet të mos merren pas dyerve të mbyllura pa përfshirjen e publikut.
Ju keni zgjedhur Kosovën si një vend për t’u shikuar. Por Kosova ende është pa qeveri. A është kjo një shenjë e mirë apo e keqe për luftën kundër korrupsionit?
Është e vërtetë që TI-ja ka zgjedhur Kosovën si një vend për t’u vëzhguar dhe kjo është për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të tetorit, kur qytetarët e Kosovës votuan qartë për ndryshimin e qeverisë, meqenëse lufta kundër korrupsionit ishte temë kryesore në fushatën zgjedhore të Vetëvendosjes. Kjo, sigurisht, ka rritur pritshmëritë e qytetarëve që qeveria e ardhshme të jetë më transparente, më e përgjegjshme dhe t’u “shpallë luftë” të gjitha formave të korrupsionit në shoqërinë kosovare. Qytetarët tani presin “një qeveri të duarve të pastra” dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që Vetëvendosja ta jetësojë këtë pritshmëri.
Mali i Zi kishte rezultatet më të mirë në rajon. A do të thotë kjo se i ka edhe politikat më të mira kundër korrupsionit?
Mali i Zi ishte i pari nga vendet e Ballkanit që hapi negociatat me BE-në dhe është edhe anëtar në NATO, dhe kjo, padyshim, ka kërkuar një nivel të caktuar përparimi. Por Mali i Zi ka çështje serioze në lidhje me integritetin politik dhe sundimin e ligjit. TI-ja i gjen shumë problematike përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar ligjet për qasjen e lirë në informacion, për fshehtësinë e të dhënave dhe financimin e partive politike.. Është e qartë se qeveria po shmang çdo përfshirje të publikut në procesin legjislativ, pasi synon të heqë detyrimin që partitë politike të zbulojnë financat e tyre.
A mendoni se korrupsioni në Ballkanin Perëndimor është endemik?
Ne mund ta përshkruajmë atë në terma të ndryshëm, por ajo që unë konsideroj të rëndësishme është efekti shumë dëmtues që ka korrupsioni për zhvillimin e rajonit. Ai ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve, në cilësinë e shërbimeve, në interesimin e bizneseve dhe në mundësitë e punësimit. E gjithë kjo nuk po ndodh ose nuk po ndodh sa duhet për shkak të korrupsionit. Prandaj, mbajtja e parave të mëdha jashtë politikës është thelbësore për të siguruar që vendimmarrja politike t’i shërbejë interesit publik dhe frenimit të mundësive për marrëveshje korruptive.
Çfarë duhet të bëhet dhe kush duhet të ndihmojë që të kemi një ecuri më të mirë vitin e ardhshëm?
Është thelbësore që rajoni të shohë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që vija ndarëse mes parasë dhe politikës të jetë e qartë. Rregullat e lojës kur bëhet fjalë për financimin e partive politike dhe fushatës elektorale duhet të jenë të qarta. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të shprehin mendimet e tyre për ligjet që miratohen. Gjyqësori duhet të jetë i lirë të hapë procese për çështjet e korrupsionit, pa asnjë presion të jashtëm dhe të mos bëhet media objekt i ndjekjeve penale në vend të atyre që janë të përfshirë në vepra korruptive.
Lidija Prokic është konsulentë rajonale pranë Transparancy International in Berlin.
Intervistën e zhvilloi Anila Shuka