Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe tetë deputetët e shkëputur më parë nga partia opozitare VMRO-DPMNE kanë bërë të ditur për arritjen e pëlqimit mbi tekstin e propozim ligjit për Prokurorinë Publike, por njoftimet e lëshuara për publikun nga secila prej palëve nuk janë plotësisht në një vijë për sa i përket çështjes së bisedave të pëgjuara telefonike. Grupi i pavarur i tetë deputetëve të dalë nga VMRO-ja thekson se bisedat e përgjuara nuk do të mund të përdoren më në rastet gjyqësore.
Në një komunikatë të lëshuar nga qeveria në Shkup thuhet se “vendimi i porpozim-ligjit (për Prokurorinë) garanton që të gjitha proceset gjyqësore të cilat ishin nën kompetencat e Prokurorisë për luftën ndaj veprave penale (si[ njihej ndryshe Prokuroria e Posaçme) të lidhura me përmbajtet nga përgjimi i paligjshëm i komunikimeve procedohen tek prokuroritë publike që të marrin një përfundim ligjor para gjykatave përkatëse, përmes një procedure profesionale dhe të drejtë të bazuara tek ligjet”. Por, grupi i deputetëve të dalë nga VMRO-DPMNE-ja thotë se Prokuroria publike nuk do të mundet më të mbështetet tek materialet e përgjuara ilegale në një proces gjyqësor. Ky grup ligjvënësish ka propozuar shkatërrimin e materialave të përgjuara në mënyrë joligjore.
Propozim ligji më tej parashikon që prokurori publik i Pokurorisë për krimin e organizuar dhe korrupsionin të zgjidhet nga Këshilli republikan i prokurorëve publik pasi të jetë votuar nga të gjithë prokurorët në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Grupi prej tetë deputetësh, ndërkaq i bën thirje VMRO-së që të paraqesë amendamente konstruktive dhe përmbajtësore në interes të qytetarëve dhe të shtetit ligjor për t’i ndihmuar vendit në proceset euro-atlantike.
Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet nuk arritën një konsensus mbi këtë çështje pas debatesh disa javëshe edhe me ndihmën e ekspertëve të fushës. Secila nga partitë rivale akuzonte tjetrën për interesa personale dhe partiake lidhur me ligjin.
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi, i cili drejton Komisionin parlamentar për çështje evropiane u tha gazetarëve se propozim ligji duhet të kalojë në dy lexime në seancë plenare, teksa shpreson se do të miratohet me konsensus të gjerë edhe nga VMRO-ja.
Ligji duhet të kalojë me dy të tretën e votave në parlamentin prej 120 vendesh.
LSDM-ja kishte vënë kusht që pa miratimin e Ligjit për Prokurorinë nuk do të kishte zgjedhje të parakohshme më 12 prill.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u kanë sugjeruar, por nuk kanë kushtëzuar që ligji të miratohet nga kjo përbërje parlamentare, para shpërndarjes së parlamentit.
Sipas pritjeve, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 12 mars duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të jetë 12 prilli i këtij viti.
Vendi tashmë ka një qeveri të përkohshme teknike ku bëjnë pjesë edhe dy ministra dhe dy zëvendës-ministra të VMRO-së. Qeveria teknike ka mandat deri ditën e zgjedhjeve dhe ka pë detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre.
voa