Minatorët e kombinatit “Trepça”, kanë hyrë në grevë që nga mëngjesi i sotëm, bëjnë të ditur zyrtarët e këtij kombinati.Sipas tyre, rreth 250 minatorë, janë duke qëndruar në horizontin e 10-të në minierën e Stantërgut.
Sebahate Fetahu, asistente e drejtorit të ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjithë punëtorët e këtij kombinati janë në grevë.
“Minatorët duan sqarim për projektligjin që është shtyrë dhe duan sqarim për fatin e ‘Trepçës’. Për momentin, deri më tash askush nga qeveria nuk ka shkuar aty dhe as qe ka lajmëruar për një gjë të tillë”, ka theksuar Fetahu.
Ajo ka shtuar se minatorët i kanë thënë drejtuesve të “Trepçës”, se “deri sa të merret ndonjë vendim prej qeverisë, grevën nuk do ta ndalin”.
Eksperti i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, duke folur për radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se greva e minatorëve nuk është mjet i cili ndihmon në zgjidhjen e problemit të Trepçës.
“Sinqerisht mendoj se minatorët nuk duhet të mbeten në grevë. Por, megjithatë, të përdoret ndonjë mekanizëm tjetër i presionit, meqenëse çështja duhet të zgjidhet në parlament dhe në qeveri dhe jo në horizontin e nëntë”, thotë Rexhepi.
Rexhepi vlerëson se në seancën e të hënës në Kuvendin e Kosovës është parë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë prej synimit parësor që Trepçën ta shndërrojë në ndërmarrje publike.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është dorëzuar përballë presionit nga Serbia, si dhe faktorëve tjerë.
Rexhepi theksoi se realisht, Trepçën e ka lënë në pozicionin e njëjtë që ka pasur më parë, që do të thotë, nën përgjegjësinë e Agjencisë Kosovarë të Privatizimit.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të martën se çështja e kombinatit “Trepça” nuk do të diskutohet me ndonjë vend tjetër.
Ai ka theksuar se në Kuvendin e Kosovës është nxjerrë legjislacion i veçantë i cili e ka shpëtuar nga falimentimi Trepçën.
“Kemi fituar edhe në kohë që bashkërisht me ekspert edhe ndërkombëtar ta nxjerrim legjislacionin adekuat që do ta stabilizoj atë kombinat dhe në të njëjtën kohë do të jetë profitabil edhe për Kosovën. Por, nuk do të jetë çështje që do të diskutohet edhe me ndonjë vend tjetër, sepse ajo tek e fundit është pasuri e Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Por, Rexhepi vlerëson se e vetmja gjë që ka arritur Qeveria e Kosovës, është shtyrja e afatit ose fitimi i kohës prej 1 vjet e gjysmë, gjatë së cilës periudhë, sipas tij, qeveria e ka shansin që të hartojë një ligj, një strategji, një koncept dhe të shtyjë përpara ligjet, të cilat Trepçën e bëjnë përgjegjësi të qeverisë, përkatësisht, e kthejnë atë në aset publik.
Megjithatë, sipas Rexhepit, Trepça deri më tash ka humbur shumë.
“Nuk është çështja e vetëm 1 vjet e gjysmë, në të ardhmen që do të jenë, por Trepça ka humbur qe 15 vjet. Kjo humbje reflekton në nivelin e përgjithshëm të zhvillimit të Kosovës”, thotë ai.
Ndryshe, Rexhepi ka theksuar se në qoftë se Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës nuk do të arrijë që ta bëjë Trepçën pronë të qeverisë, ky do të jetë dështimi më i madh i kësaj qeverie. (rel)