Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur lajme të rreme ato që quajtur “informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me Perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës”.
“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, ka thënë Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd, ku ka folur në lidhje me takimin e tij me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me zyrtarë të lartë amerikanë, në Uashington.
Vuçiq ka përsëritur se ai nuk ka hequr dorë nga kushti që të mos ketë bisedime me Prishtinën derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave qw importohen nga Serbia.
Sipas Vuçiqit, në Uashington nuk është biseduar për çështje madhore lidhur me Kosovën.
“Në Uashington kemi diskutuar për të ashtuquajturin “mini-Shengen”, për lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si edhe për ndërtimin e autostradës dhe për vendosjen e linjës hekurudhore dhe linjës ajrore”, është shprehur Vuçiq. (r.m.)