Autoritetet në Kosovë konfirmuan të dielën edhe katër raste të reja të infektuara me koronavirus, kështu që numri i përgjithshëm i të infektuarve u rrit në nëntë .
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, shkroi se tri raste janë nga komuna e Malishevës dhe që të tre janë persona që ishin në kontakt më një paciente që ishte diagnostikuar me COVID-19, të shtunën më 14 mars, ndërsa rasti i katërt është nga komuna e Podujevës.
“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e zotit Vitia.
Ja edhe shkrimi i tij i plote ne facebook:
Të nderuar qytetarë,
Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus).
Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.
Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.
Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente.
Ju faleminderit për mirëkuptim!