Kumanova është qyteti më i prekur, menjëherë pas Shkupit nga koronavirusi dhe masat shtrënguese atje u vendosën pas disa raste vdekjesh dhe rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve.
Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila ka për detyrë të gjurmojë, identifikojë dhe izolojë bartësit dhe të prekurit nga koronavirusi, po përpiqet së bashku me autoritetet spitalore të qytetit të ndalë përhapjen e infeksioneve.
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, doktor Arif Latifi në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në spitalin e qytetit ndryshon me dinamizëm brenda ditës, me që rastet me simptoma më të lehta ndalen këtu, mirëpo atyre shumë shpejtë mund t’u përkeqësohet gjendja dhe duhet të dërgohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.
Zoti Latifi thotë se një numër i qytetarëve të Kumanovës nuk po i respekton rekomandimet e mjekëve, megjithëse u janë bindur urdhërave për ndalim-qarkullim:
“Mirëpo, kur e fitojnë atë lirinë disaorëshe, ata dalin në rrugë, grumbullohen dhe disa nuk mbajnë maska, kështu që vetëm rrezikojnë të rrisin numrin e të infektuarve”, thotë kreu i Shëndetit Publik në Kumanovë.
Doktor Latifi u bën thirrje atyre që mund të jenë bartës të virusit që të vetëizolohen, sikurse të gjithë qytetarëve sepse në këtë mënyrë, thotë ai, na ndihmojnë t’i identifikojmë pacientët e mundëshëm ose bartësit e infeksionit.
“Do t’i lusnim qytetarët të cilët i anketojmë në anketat epidemiologjike që të jenë të sinqertë dhe të na tregojnë të vërtetën, sepse disa nga ta po i fshehin kontaktet që kanë pasur, e me këtë edhe bartësit e mundshëm të infekstionit. Duhet ta kenë të qartë se po të jesh i prekur me koronavirus nuk do të thotë turp; ështe shqetësim për të gjithë ne, ndërsa vihet në rrezik personeli mjekësor dhe familjet tona”, thotë ai.
Doktor Latifi vlerëson se numri i të prekurve po vjen duke u rritur.
Virusi ka prekur dhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe personelit mjekësor jo vetëm në Kumanovë, por në këtë qytet fillimisht u konfirmuan 11 mjekë dhe infermierë me koronavirus, sipas të gjitha gjasave të infektuar nga pacienti i ashtuquajtur zero në këtë zone, teksa numri i tyre sot ka shkuar në mbi 20.
Nga mbi 600 personat e prekur me COVID-19 në Maqedoninë e veriut, rreth dhjetë përqind janë mjekë dhe personel spitalor. Autoritetet u bëjnë thirrje atyre që të mbrohen duke përdorur pajisjet e domosdoshme që i kanë në dispozicion.
Së fundmi, në Shkup kanë arritur mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga Sllovenia, Hungaria e Turqia, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë prej 1.1 milion dollarësh për zbutjen e gjendjes dhe luftimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.
voa