LDK dhe AAK nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit

ramush isaLidhja Demokratike e Kosovës ka finalizuar marrëveshjen e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Marrëveshja është nënshkruar gjatë një takimi të zhvilluar mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Sapo përmbyllëm një takim me Mustafën dhe me të nominuarin për kryeministër (v.j. Avdullah) Hotin dhe ne arritëm marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do t’i ketë katër ministri si dhe një post të zëvendëskryeministrit të parë.

Sipas marrëveshjes, zëvendëskryeministër i parë do të jetë Besnik Tahiri. Kurse ministritë që do të udhëhiqen nga AAK janë: Ministria e Punëve të Jashtme me ministren e propozuar Meliza Haradinaj-Stublla, Ministria e Drejtësisë me ministrin e propozuar Selim Selimi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me në krye Blerim Kuqin dhe Ministria e Arsimit me ministrin e propozuar, Ramë Dika.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti tha se është në proces të përmbylljes së bisedimeve me partitë politike për qeverinë e re, të cilën ai pretendon se do ta drejtojë së shpejti.

“Sa më parë që i përmbyllim marrëveshjet, menjëherë do të procedojmë për në Kuvend”, tha Hoti.

Duke iu përgjigjur një deklarate të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli se vendi duhet të shkoj në zgjedhje sapo të përfundojë pandemia e koronavirusit, nHoti tha se “vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, përderisa të ketë një shumicë parlamentare në Kuvend”.

Në marrëveshjen e nënshkruar nga krerët e LDK-së dhe AAK-së, mes tjerash thuhet se marrëveshja është arritur duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës, “të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe obligimin për themelimin e institucioneve legjitime, funksionale e demokratike”.

Të dy partitë pajtohen edhe rreth prioriteteve kryesore të qeverisë në pritje, duke veçuar angazhimin për t’u përballë me pandeminë e koronavirusit, rimëkëmbjen ekonomike, forcimin e shtetit ligjor si dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë. Njëherësh, të dy partitë e koalicionit zotohen të luftojnë krimin e korrupsionin si dhe të forcojnë partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se pritet që tash LDK të finalizojë edhe marrëveshjet me partitë tjera para se të nisin procedurat në kuvend për formimin e qeverisë. Sipas tij, shumë shpejt do të lëvizet drejt vendimit dhe votimit në kuvend për qeverinë e drejtuar nga LDK-ja.

Përkundër paralajmërimeve nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje se formimin e kësaj qeverie do ta dërgojë për aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese, LDK po e vazhdon procesin e negociatave edhe me subjektet politike pwr finalizimin e marrëveshjeve. Ajo pret që sapo t’i përfundojë të gjitha marrëveshjet,presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi t’i japë edhe zyrtarisht mandatin kandidatit të saj për kryeministër Avdullah Hoti, që të kërkojë votimin në kuvend të qeverisë së re.

Gjatë ditës, LDK pritet të nënshkruajë marrëveshje edhe me Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe, Aleancën Kosova e Re dhe partitë nga radhët e komuniteteve joserbe.

Qeveria zgjidhet përmes votimit në kuvend, me të paktën 61 vota për.

Pjesë e qeverisë së ardhshme, nëse ajo do të formohet, nuk pritet të jenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 30 deputetë dhe Partia Demokratike e Kosovës që ka 24 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në opozitë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, sipas liderit të saj Kadri Veseli, nuk do të votojë për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja me partitë partnere.

“Asnjë deputetë i PDK-së nuk voton qeveri të mashtrimeve. LDK dhe LVV janë përgjegjëse për këtë gjendje të krijuar dhe ato duhet të gjejnë zgjidhje. Ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja demokratike pas pandemisë”, ka deklaruar Kadri Veseli.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar të turpshme dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve marrëveshjen në mes LDK-së dhe AAK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>