Dy drejtuesit e partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate në pushtet dhe Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së në opozitë arritën të hënën marrëveshjen për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kjo do të jetë 15 korriku, që ishte kërkesë e opozitës maqedonase dhe LSDM-ja u pajtua më në fund pas këmbënguljeve fillestare që zgjedhjet të mbaheshin më 5 ose 8 korrik.
Pasi Maqedonia e Veriut ka shpërndarë parlamentin dhe qeveria teknike ka autorizime të kufizuara, kjo detyroi palët që të organizohen zgjedhje në rrethana të koronavirusit kur vendi ndodhet në majë të listës për nga shkalla e lartë e vdekshmërisë në rajon dhe më gjerë
Zoti Zaev tha se marrëveshja është arritur përmes telefonit. “Për të mos vuajtur populli dhe për t’i mundësuar Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së që ta tregojnë në vepër përgjegjësinë për të marrë pjesë në zgjedhje”, theksoi ai.
Ndërkaq z. Mickovski i VMRO-së shkruan në Fejsbuk se në zgjedhjet e 15 korrikut “së bashku me popullin do ta mundim burimin e krizës – Zoran Zaevin dhe Lidhjen Social Demokrate. Dy kushtet tona u pranuan, së pari protokollet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe e dyta, prania e misionit të OSBE-së dhe ODIHR-it për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve”, shprehet kreu opozitar.
Meqenëse për herë të parë zgjedhjet do të mbahen ditën e mërkurë dhe jo të dielën, siç është përcaktuar në Kodin zgjedhor, Zoran Zaev bëri të ditur se do t’i kërkojë presidentit Stevo Pendarovski që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme me qëllim që qeveria të bëjë ndryshime të Kodit për këtë çështje.
Partitë shqiptare nuk janë përfshirë drejtpërdrejtë në caktimin e datës dhe ato nuk u ftuan në takimin e fundit tek presidenti Pendarovski, ndonëse ato nuk kishin probleme me datën. Bashkimi Demokratik për Integrim e përshëndeti arritjen e marrëveshjes midis Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickovskit, “me çka shmanget kriza politike pas asaj shëndetësore dhe ekonomike”, siç qëndron në një komunikatë të partisë shqiptare.
Zgjedhjet e parakohshme fillimisht u caktuan për më 12 prill dhe një muaj para kësaj u shpërnda parlamenti, ashtu siç e kërkon marrëveshja e njohur si “e Përzhinës”. Por, shpërthimi i epidemisë së koronavirusit bëri që zjedhjet të mos mbaheshin në prill dhe të pritej një kohë më e mirë.
Megjithatë, gjendja me COVID-19 vazhdon të jetë shqetësuese në republikën ish-jugosllave dhe vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 103 raste të reja dhe 5 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 193 të të vdekurve.