Statuja e Colston hidhet në Avon në Bristol, Angli, 7 qershor 2020
Në disa vende të Evropës Lindore po hiqen nga parqet monumentet komuniste. A është kjo mënyra se si duhen trajtuar “heronjtë” e së kaluarës? Aspak, mendojnë kritikët.
Kur bien monumentet, shkruhet histori. Sepse rrëzimi i monumenteve ka diçka të pakthyeshme. Simbolizon fitoren kundër rendit të vjetër, agimin e një epoke të re. Nuk është çudi që në vazhdën e protestave të tanishme kundër racizmit, pronarët e skllevërve dhe sunduesit kolonialë po i hedhin nga piedestalet e tyre. Trashëgimia e tyre që ka mbijetuar në formën e racizmit deri më sot, duhet më në fund t’i takojë së kaluarës së bashku me ta.
Kjo ndodhi me statujën e tregtarit të skllevërve Edward Colston të cilën protestuesit e hodhën në portin e Bristolit. Në Boston demonstruesit i prenë kokën skulpturës së Kristofor Kolombit zbulimi i të cilit çoi në fund të fundit në kolonizimin e Amerikës dhe më vonë në gjenocidin ndaj popujve indigjenë. Edhe mbreti belg Leopold II, i cili vendosi një regjim brutal kolonial në Kongo, me siguri do të zhduket përfundimisht nga sytë e publikut. Si shumë të tjera edhe statujat e tij u hoqën ndërkohë nga autoritetet si masë paraprake.
Lëvizja “Black Lives Matter” ka rindezur një debat të vjetër në sytë e publikut. Për vite të tëra ka pasur polemika, veçanërisht në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, se si duhen trajtuar “heronjtë” e dikurshëm. Shumë prej tyre kanë pasur një botëkuptim thellësisht racist dhe kanë shtypur, skllavëruar dhe vrarë njerëz. Por a duhet që njerëzit t’i heqin dhe të hedhin në det skulpturat e tyre si në rastin e Edward Colstonit? “Si historian interesi im është që të ruhen monumentet si burime historike,” thotë Jürgen Zimmerer, profesor i historisë globale me fokus Afrikën në Universitetin e Hamburgut, në një intervistë me DW. Sidoqoftë ato duhet të “deheroizohen” dhe të riklasifikohen sa i përket historisë.
Modeli i Evropës Lindore për trajtimin e “heronjve”
Një mënyrë e mundshme mund të jetë krijimi i parqeve me statuja si i kanë krijuar disa vende të Evropës Lindore pas fundit të komunizmit. Një nga shembujt më të spikatur është “Parku Memento” në Budapest. Larg qendrës së qytetit në të strehohen disa dhjetëra statuja, buste dhe vepra të tjera arti që dikur dominonin kryeqytetin hungarez. Shembuj të ngjashëm mund të gjenden në Moskë, Sofje dhe Grutas në Lituani.
Parku Meneto, Budapest
Shumë kanë qenë të traumatizuar nga kjo kohë dhe nuk mund t’i duronin më monumentet e shumta komuniste në peizazhin e qytetit”, shpjegon historiani i artit Arnold Bartetzky nga Instituti Leibniz për Historinë dhe Kulturën e Evropës Lindore (GWZO) në Leipzig në bisedë me DW. Shumë monumente të asak kohe janë shkatërruar. Prandaj parqet monumentale, siç është ai i Budapestit, janë edhe më e rëndësishme: “Të paktën disa prej statujave përfunduan jo në mbeturina, por në një mjedis të mbrojtur”, thotë Bartetzky dhe “Parku Mementos” tëheq sot mjaft turistë.
Historianët bëjnë thirrje për diskutim për hapësirën publike
Historianë si Jürgen Zimmerer dhe Arnold Bartetzky i konsiderojnë parqet e statujave vetëm si “zgjidhjen e dytë më të mirë”. Ata kërkojnë që monumentet të lihen në vendin e tyre origjinal për t’u tërhequr me vetëdije vëmendjen njerëzve dhe për t’u shpjeguar kontekstin e tyre historik. Zimmerer sugjeron, për shembull, kthimin e statujave me kokë poshtë, hedhjen e tyre në tokë ose varrosjen e tre deri tek gjysma e trupit. “Kështu sfidohen zakonet me të cilat ne shikojmë përreth,” thotë ai. “Ne jemi të detyruar të hedhim një vështrim nga afër, ta shqyrtojmë në mënyrë kritike monumentin dhe historinë.”
Arnold Bartetzky gjithashtu bën thirrje për një konfrontim publik me historinë: “Shoqëritë liberale duhet të jenë në gjendje të durojnë që jo gjithçka që është në hapësirën publike korrespondon me pikëpamjet tona për botën. Kjo është pikërisht ajo që na dallon nga diktatura dhe regjimet autokratike”, thotë historiani i artit.
Mbreti belg Leopold i II përlyhet me bojë
Deri ku duhet ta rishikojmë historinë?
Sidoqoftë nëse do të duhej të etiketohej dhe klasifikohej gjithçka që nuk korrespondon me normat e së tashmes, historianët do të kishin shumë punë për të bërë. Demokracia dhe të drejtat e njeriut janë arritje të reja. Pra deri ku duhet të rishikohet historia? “Në thelb ne duhet të pyesim veten, se cilët njerëz dhe veprime i konsiderojmë ende si elemente identiteti për shoqërinë e sotme,” thotë Jürgen Zimmerer. “Thelbësore këtu është të shtohen pyetje kritike.” Bartetzky gjithashtu hedh poshtë një sulm të gjithanshëm e të verbër kundër gjithçkaje që nuk është më konform sot dhe paralajmëron ndaj shkatërrimit të diskutueshëm të monumenteve: “Nëse vazhdojmë si tani do të humbasim një pjesë të madhe të trashëgimisë sonë kulturore”.
dw