“Unë mendoj se mënyra se si ai merr vendime është e rrezikshme,” i tha zoti Bolton gazetares Greta Van Susteren, drejtuese e një programi televiziv të “Zërit të Amerikës” që trajton çështje të politikës së jashtme amerikane.
Përpilimi i gënjeshtrave
Bolton po promovon librin e tij të ri, mjaft të diskutueshëm, Dhoma Ku Ndodhi, me kujtime nga koha e tij në administratën Trump. Në libër, Bolton, një njeri me përvojë të gjatë në politikën e jashtme, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë në shtator pas gati 18 muajsh si këshilltar i Sigurisë Kombëtare, bën akuza të zgjeruara për sjellje të gabuar presidenciale dhe dështime të politikës së jashtme – kritika që kanë tërhequr reagime të mprehta nga presidenti dhe ndihmësit e tij të lartë.
Bolton e portretizon Trumpin si impulsiv, të paaftë dhe të gatshëm për të bërë lëshime për kundërshtarët si Irani dhe Koreja e Veriut, që janë të dëmshme për amerikanët, në mënyrë që të forcojë qëndrimin e tij politik.
“Ai është vazhdimisht në prag të nënshtrimit ndaj tundimit për t’u ulur me ajatollahë, apo ashtu si donte të ulej me Kim Jong Unin”, tha ai, duke iu referuar marrëdhënieve të administratës me Iranin dhe Korenë e Veriut.
Bolton rrëfen biseda shqetësuese ku thotë se ka qënë dëshmitar, ku presidenti Trump i kërkoi ndihmë Presidentit kinez Xi Jinping për të fituar rizgjedhjen, se ai ishte i gatshëm të ndalonte hetimet penale për të dhënë “favorizime personale për diktatorët që i pëlqyen”, dhe se ai ndryshoi mendimin e tij se do të ishte “mirë” për të pushtuar Venezuelën, në vlerësimin e liderit autoritar të Venezuelës, Nicolas Maduro si “të zgjuar” dhe “të ashpër”. Ai gjithashtu tha se ishte dëshmitar i presionit sipas tij që presidenti Trump i bëri presidentit të Ukrainës për informacione dëmtuese ndaj rivalit të tij politikë në vend, një akuzë që çoi në gjyqin e fajësimit të presidentit Trump në fillim të këtij viti.
Presidenti Trump e ka quajtur librin e Boltonit një “përmbledhje gënjeshtrash dhe tregimesh të sajuara”, ndërsa e akuzoi Boltonin për shkelje të ligjit duke publikuar informacione shumë të klasifikuara.
Javën e kaluar një gjykatës federal hodhi poshtë kërkesën e administratës Trump për të urdhëruar bllokimin e botimit të librit, por gjykatësi gjithashtu deklaroi se “sjellja e njëanshme e zotit Bolton ngre shqetësime të rënda për sigurinë kombëtare.”
Në një deklaratë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, e dënoi Boltonin si një “tradhtar” për përhapjen e “trillimeve gjysmë të vërteta, dhe të rreme” dhe që “shkel besimin e shenjtë” me popullin amerikan.
Sjellja e pahijshme
Në librin e tij, Bolton pretendon se presidenti Trump i kërkoi në mënyrë të qartë Presidentit Kinez Xi Jinping të ndihmojë në përpjekjen e tij për tu rizgjedhur duke rritur importet kineze të produkteve bujqësore amerikane. Ai gjithashtu tha se Trump miratoi planet e presidentit Xi për të ndërtuar kampe burgimi për më shumë se një milion ujgurë dhe anëtarët e pakicave të tjera kryesisht muslimane.
Peter Navarro, një negociator kryesor për tregëtinë në Shtëpinë e Bardhë, kundërshton pohimin e Boltonit se Trump është i butë ndaj presidentit Xi dhe mbron vendimin e presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj Kinës si pasojë e tregtisë së tpadrejtë dhe abuzimeve njerëzore në Hong Kong.
Këtë muaj administrata Trump vendosi sanksione ndaj zyrtarëve të zgjedhur kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut të lidhura me burgosjet masive të ujgurëve kinezë.
Akuzat për procesin e shkarkimit
Bolton gjithashtu pajtohet me akuzat në zemër të gjyqit për shkarkimin e presidentit Trump në fillim të këtij viti, duke pretenduar se presidenti kërkoi në mënyrë të padrejtë ndihmë nga Ukraina për të rritur shanset e tij për rizgjedhje.
“Fokusi në Ukrainë kishte gjithçka të bënte me dëmtimin e kundërshtarëve politikë të Trumpit, si të Hillary Clinton ashtu edhe të Joe Biden. Ajo nuk kishte asnjë lidhje me çështjen e korrupsionit në Ukrainë”, tha ai në intervistë.
Trump u akuzua për pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën në mënyrë që ti bëhej presion udhëheqjes së Kievit për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalët e tij politikë demokratë. Senati me shumicë republikane e liroi presidentin Trump nga akuzat. Bolton mbrojti refuzimin e tij për të dëshmuar, duke thënë se nuk do të kishte bërë ndonjë ndryshim pasi gjyqi u bë një mosmarrëveshje tejet partiake.
Këndvështrimi i politikave
Në themel të kritikës së tij për të metat e politikës së jashtme të Trumpit është pozicioni i palëkundur i Boltonit se vetëm presioni i fortë ekonomik dhe frenimi ushtarak do t’i detyrojnë udhëheqësit autoritarë në vende si Irani, Koreja e Veriut dhe Venezuela të ndryshojnë. Por shumë ekspertë në komunitetin e politikës së jashtme nuk pajtohen me këtë botëkuptim të linjës së ashpër.
“John Bolton ka qenë kryesisht gabim gjatë gjithë karrierës së tij,” thotë Michael O’Hanlon, një hulumtues me përvojë i politikës së jashtme në Institutin Brookings, duke shtuar se regjimet ekstremiste që janë të detyruar të mbeten pa asnjë opsion, zakonisht nuk kapitullojnë plotësisht.
Bolton kundërshtoi vendimin e Presidentit Trump për t’u takuar me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Samitin e Singaporit në vitin 2018. Ai gjithashtu tha se i gjithë ekipi i sigurisë kombëtare u kap i papërgatitur kur presidenti njoftoi se SHBA do të ndalonte në mënyrë të njëanshme stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, nën dritën e pezullimit të provave bërthamore dhe raketave nga Veriu.
Në Singapor të dy udhëheqësit arritën një marrëveshje historike mbi denuklearizimin eventual të Koresë. Sidoqoftë, negociatat vijuese më vonë u bllokuan dhe një samit i dytë në Hanoi vitin e kaluar përfundoi befas për shkak të refuzimit të Uashingtonit për të lehtësuar sanksione të ashpra ekonomike ndaj premtimit të Phenianit se më vonë do të bënte shkurtime të thella në programin e tij bërthamor.
Në lidhje me Iranin, Bolton kundërshtoi një takim të mundshëm midis presidentit Trump dhe presidentit iranian Hassan Rouhani që ai tha se po shqyrtohej në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me një propozim për të lehtësuar sanksionet iraniane për të filluar bisedimet.
Bolton gjithashtu argumentoi kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani pasi u arrit një marrëveshje paqeje me Talibanët, dhe ndihmoi të anulonte një takim të nivelit të lartë të presidentit Trump me Talibanët me në Camp David pranë Uashington, DC.
Ndërsa të gjithë presidentët amerikanë përdorin arritjet e politikës së jashtme për të rritur mbështetjen ndaj politikave të brendshme, Bolton shprehu shqetësimin se Trump duket se është shumë i gatshëm të bëjë kompromis për përparësitë afatgjata të sigurisë kombëtare për të qenë në gjendje të pretendojë një arritje diplomatike.
Mark Simakovsky, një analist i sigurisë kombëtare në Këshillit Atlantik, ndan këtë shqetësim.
“Unë mendoj se ajo që e largon Presidentin Trump nga paraardhësit e tij është se shumë prej vendimeve që ai merr, jo vetëm që drejtohen nga interesat e tij personale politike, por ato shprehen në mënyrë të veçantë në bashkëveprimet e tij me udhëheqësit e huaj,” tha ai.
Bolton u largua nga Shtëpia e Bardhë shtatorin e kaluar menjëherë pasi nuk u pajtua me vendimin e presidentit Trump për të anuluar një sulm ajror të planifikuar ndaj Iranit në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin e një droni të mbikqyrjes amerikane. Ndërsa Bolton tha që dha dorëheqjen, Trump këmbëngul se ai u pushua nga puna.
Bolton më vonë miratoi urdhrin e Trumpit në janar për një sulm me dron që vrau gjeneralin e lartë iranian Qassem Soleimani, pas sulmeve nga grupe të mbështetur nga Irani në Irakq ë vranë një kontraktues amerikan dhe plagosën katër anëtarë të shërbimit amerikan
voa