Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha nga aeroporti i Tiranës se “ditë të mira janë përpara për Kosovën dhe kombin shqiptar”. Ky është reagimi i parë i Thaçit, prej aktakuzës për krime lufte kundër tij.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri të ditur se sot ka arritur në Aeroportin e Tiranës, ndërsa, të dielën në mbrëmje ai do t’i drejtohet opinionit. Në një postim në profilin e tij, Thaçi shkroi se ai mbetet me shpresë që “ditë të mira për Kosovës dhe kombin shqiptar janë përpara”.
“Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, shkroi Thaçi në Facebook. Më herët, në një postim tjetër në Instagram, Thaçi shkroi se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte jashtë Kosovës dhe ndërpreu udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë, paraqiti të mërkurën një aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve. Aktakuza përmban dhjetë pika për shqyrtim e cila duhet të konfimohen ose jo, nga një gjykatës i procedurës paraprake.
Në aktakuzë, Thaçi dhe Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
“Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhej nga zyra e Prokurorit Special.
Kryetari i PDK-se Kadri Veseli, gjatë një konference për medie i ka quajtur “politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit të Prokurorisë Speciale, ndërsa, e ka cilësuar “veprim të paprecedent, pse prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon”.
“Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi”, tha Kadri Veseli.
Sidoqoftë, paraqitja e një aktakuze nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, bëri që të dështojë një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i paraparë të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Uashington i ndërmjetësuar nga Richard Grenell. Ky i fundit pas anulimit të vizitës në SHBA edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se takimi do të mbahet në një kohë tjetër.
Nga ana tjetër, Franca dhe Gjermania presin që dialogu Kosovë- Serbi të fillojë së shpejti. “Franca dhe Gjermania presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë së shpejti. Së bashku me kancelaren Merkel, Presidenti Macron mbetet i gatshëm të presë një samit në Paris”, shkroi ambasada e Francës në Kosovë përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.
dw
Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi të premten në rrjetet sociale se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, në një postim te shoqëruar më një fotografi të emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deri tani ky është edhe reagimi i tij i parë që kur të mërkurën zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Publikimi i akuzave të pakonfirmuara, bëri që të dështojnë planet për një takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë presidenti Thaçi ndërpreu udhëtimin dhe të premten po kthehet në shtëpi.
Më pas edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se nuk mund të marrë pjesë për shkak të situatës së re.
Ndërmjetësuesi i takimit tashmë të anuluar, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump, tha se po pret përcaktimin e kohës për një takim të radhës.
Publikimi i akuzave nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë dhe kritika të rrepta ndaj prokurorisë së posaçme.
Analistët thanë se situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Bashkimi Evropian po ngulë këmbë se ato duhet të rifillojnë muajin që vjen.
Të premten në Bruksel, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se pret që muajin e ardhshëm të intensifikohen bisedimet, ndërsa kërkoi që Serbia të jetë e përmbajtur sa i përket publikimit të akuzave ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të përmbajtur. Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme kundër serbëve, mirë që ekziston drejtësia dhe kjo është në rregull dhe lajm i mirë. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm”, tha ai.
Ai nënvizoi se është me rëndës që të avzhdojnë përpjekjet për të biseduar për temat që janë me rëndësi jetike dhe të gjendet një kompromis me shqiptarët në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.
Presidenti i Serbisë po qëndron në Bruksel ku po takohet me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, një ditë pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Për datën 10 korrik është paralajmëruar që në Paris palët të bisedojnë në një takim të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Por, ende mbetet e paqartë nëse ky takim do të mbahet për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë pas publikimit të akuzave që duhet të konfirmohen apo të hidhen poshtë brenda gjashtë muajsh, që nga ngritja e tyre më 24 prill të këtij viti.
voa