Shqetësimet në Amerikë mbi shtimin e rasteve me koronavirus

Zëvendës Presidenti Mike PenceMes shqetësimeve të vazhdueshme mes pjestarëve të ekipit të Shtëpisë së Bardhë për trajtimin e situatës së koronavirusit, Zëvendës Presidenti Mike Pence i cili drejton përpjekjet, po vë theksin tek ana pozitive.

“Shkalla e vdekjeve është më e ulëta që nga marsi”, u tha zoti Pence gazetarëve të martën gjatë një vizite zyrat qendrore të Sherbimit Shëndetësor Publik. “Jemi në një gjendje më të mirë se katër muaj më parë, madje edhe dy muaj më parë.”

Zoti Pence vuri në dukje se janë 12 shtete me raste në rritje dhe përqindje pozitive dhe 28 shtete të tjera që kanë njërën prej këtyre dukurive.

Zoti Pence po vizion dy nga shtetet e goditura më rëndë këtë javë, Arizonën dhe Teksasin.

Një ekip prej 62 specialistësh të fushës së mjekësisë, të dislokuar nga Administrata Federale për Menaxhimin e Emergjencave, aktualisht gjenden në Arizona, njoftoi zoti Pence.

Të martën numri i rasteve me koronavirus në Teksas u rrit me 6,975 raste, rritja më e madhe ditore që nga fillimi i pandemisë, sipas departamentit të shëndetit të atij shteti.

Të 50 shtetet amerikane po rihapin ekonomitë e tyre, sipas zotit Pence. Megjithatë 16 shtete kanë ngadalësuar hapat në lejimin e disa aktiviteteve, një veprim të cilin zoti Pence tha se e mbështet plotësisht.

“Do të ngadalësojmë përhapjen. Do të rrafshojmë kurbën. Do të shpëtojmë jetë”, parashikoi ai.

Specialisti kryesor i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i cili drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse, u tha ligjvënësve në Kongres të martën se ai është ‘mjaft i shqetësuar’ lidhur me shtimin e rasteve me koronavirus. Ai foli para Komisionit të Senatit për Shëndetin, Arsimin, Punën dhe Pensionet.

“Tani kemi 40 mijë raste të reja në ditë. Nuk do të habitesha nëse numri shkon në 100 mijë në ditë nëse nuk bëhet kthesë. Prandaj jam shumë i shqetësuar.”

Ndërsa shkollat përgatiten të rihapen në gusht dhe shtator, zoti Fauci tha se ndoshta deri atëherë nuk do të ketë ndonjë vakasinë.

“Duke punuar me kompanitë dhe investimet e bëra nga Kongresi, shpresoj që të kemi doza në dispozicion deri në fillim të vitit që vjen. ”

Kryetari i komisionit, Senatori republikan Lamar Alexander theksoi rendësinë e rihapjes së shkollave ndërsa i bëri thirrje Presidentit Trump dhe publikut që të mbajnë maska për të ndihmuar në parandalimin e shtimit të mëtejshëm të rasteve.

“Fatkeqësisht, kjo praktikë e thjeshtë e shpëtimit të jetës është bërë pjesë e një debati politik që thotë se nëse mbështet zotin Trump, nuk e përdor maskën. Nëse je kundër tij, e përdor”, tha ligjvënësi Alexander në fjalën e hapjes. “Prandaj kam sugjeruar që presidenti duhet të vërë maskën herë pas here, megjithëse nuk ka shumë raste kur ai e ka të nevojshme të vërë maskën.”

Zoti Alexander tha se Presidenti Trump ka miliona mbështetës që do të ndiqnin shembullin e tij.

Sekretarja e shtypit të Shtëpsisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet rreth kësaj gjatë një konference të martën.

“Presidenti është njeriu më i testuar në Amerikë për COVID-19 dhe kështu që nuk ka nevojë për të vënë maskë”, u përgjigj ajo.

Zëvendës Presidenti Pence theksoi se ai dhe Presidenti Trump kanë përdorur maskat në publik.

“Ne do të respektojmë të drejtën e amerikanëve dhe nxisim ata që të dëgjojnë udhëzimet e autoriteteve lokale shëndetësore”, shtoi ai.

Më shumë se 125 mijë viktima nga COVID-19 ose rreth një e katërta e të gjitha vdekjeve në shkallë botëtore janë raportuar në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shumë ekspertë besojnë se numri i të vdekurve në Amerikës është shumë më i lartë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>