Deri më tani, pandemia e koronavirusit ka shkaktuar më shumë se gjysmë milioni vdekje në mbarë botën. Në këto shifra nuk përfshihet ndikimi në shëndetin e nënave, të porsalindurve, fëmijëve të vegjël dhe adoleshentëve. Për shkak të pandemisë, kujdesi shëndetësor për gratë dhe fëmijët është ulur me 20%, dhe rezultati është rritja e niveleve të vdekjes dhe e shëndetit më të dobët në këto grupe.
Është natë në Nairobi dhe një grua shtatzënë po lind. Një shërbim ambulance i ofruar nga punonjësit e shëndetësisë e çon atë në spital. Kur qeveria vendosi ndalim-qarkullimin për të frenuar pandeminë e koronavirusit, mjekët vunë re një rritje të vdekjeve të grave që lindin vetëm në shtëpi, kështu që ata u hodhën në veprim për të shpëtuar jetën e grave.
“Rastet e lidhura me nënat shtatzëna kanë shkuar më lart. Mesatarisht ne po marrim dy telefonata në natë“, thotë Richard Namu, operator i ekipit të emergjencave.
Ajo që po ndodh në Nairobi po ndodh në të gjithë botën, madje edhe në vendet e pasura. Një raport i OKB-së tregon se shërbimet shëndetësore po u largohen grave, fëmijëve nën moshën 5 vjeç dhe adoleshentëve në mënyrë që të luftohet pandemia e koronavirusit. Pasojat janë shkatërruese.
“Vlerësimet fillestare tregojnë se do të shohim një ndikim të madh në nivelin e vdekshmërisë në moshat nën 5 vjeç, në shkallën e vdekshmërisë për të sapolindurit dhe nënat. Gjithashtu, numrat e fëmijëve të kequshqyer, fëmijëve që janë të ekspozuar ndaj abuzimit dhe dhunës, humbjes kritike të qasjes në shëndetin e grave, etj. etj., kështu që vlerësimet janë mjaft të rënda“, thotë Dr. Nicholas Alipui, anëtar i panelit të raportit të OKB-së.
Raporti vlerëson se afro 400 milionë fëmijë janë të uritur sepse u mungon ushqimi nga shkollat që janë të mbyllura. Trembëdhjetë milionë fëmijë nuk po vaksinohen. Disa prindër kanë frikë t’i çojnë fëmijët e tyre për tu vaksinuar dhe disa vende kanë mungesë të vaksinave.
“Rreziku i një shpërthimi të ri të fruthit, poliomielitit dhe të gjitha këtyre sëmundjeve të tjera infektive, është tashmë i vërtetë, dhe është diçka për të cilën duhet të përgatitemi“, thotë Dr. Alipui.
Raporti gjithashtu zbulon se gratë dhe vajzat në të gjithë botën po përjetojnë shkallë më të lartë të abuzimit, shtim të shtatzënive, më pak akses në shërbimet riprodhuese dhe së bashku me këtë, më shumë nëna po vdesin nga komplikacionet gjatë lindjes.
Doktor Alipui thotë se një vaksinë, pasi të zhvillohet, do t’i japë fund krizës së COVID-19, por vendet e pasura, thotë ai, do të duhet të ndihmojnë vendet e varfërra të forcojnë sistemin e tyre shëndetësor, sepse pandemia do t’i lërë të varfërrit edhe më të rrënuar se më parë.
voa