Shefat ekzekutivë të katër kompanive më të mëdha teknologjike të botës Apple, Amazon, Facebook dhe Google u përballën të mërkurën me pyetjet e ligjvënësve, lidhur me mënyrën se si e përdorin fuqinë e konsiderueshme që ato kanë mbi tregun.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos i mbrojti praktikat e biznesit të kompanisë së tij, duke u thënë anëtarëve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve se “80% e amerikanëve kanë në përgjithësi përshtytje pozitive” për kompaninë e tij.
Seanca u zhvillua ndërkohë që rregullatorët amerikanë po shqyrtojnë nëse gjigandët e teknologjisë, përmes mbizotërimit në disa tregje, po mbysin konkurrencën dhe po shkelin ligjet anti-trust.
“Aktualisht ka 1.7 milionë biznese të vogla dhe të mëdha që shesin në Amazon. Besimi që blerësit tregojnë ndaj nesh çdo ditë, i ka dhënë mundësinë kompanisë Amazon të hapë më shumë vende pune në Shtetet e Bashkuara dekadën e fundit se çdo vend tjetër”, tha ai.
Por kryetari i nënkomisionit anti-trust, David Cicilline tha në deklaratën e tij hapëse se Amazon dhe gjigandët e tjerë të teknologjisë po përfitojnë nga pozicionet e tyre dominuese në treg, për të eliminuar konkurrentët më të vegjël.
“Shumë nga praktikat e përdorura nga këto kompani kanë pasoja të dëmshme ekonomike. Ato shkurajojnë sipërmarrjen, shkatërrojnë vende pune, ngrenë koston dhe ulin cilësinë”, tha zoti Cicilline.
Krerët e kompanive po pyeten nga ligjvënës të të dyja partive, të cilët prej një viti po hetojnë rreth çështjeve të konkurrencës në këtë fushë.
Seanca ku morën pjesë Tim Cook i kompanisë Apple, Mark Zuckerberg i rrjetit social Facebook, Sundar Pichai i kompanisë Google dhe Bezos, është një shenjë se bëhet fjalë për fatin e bizneseve të tyre, thonë analistët ligjorë.
Vëllimi vjetor i shitjeve të këtyre firmave të marra së bashku është pothuajse sa prodhimi i brendshëm i përgjithshëm i Arabisë Saudite.
Seanca ishte e pashembullt. Asnjëherë më parë nuk ishin shfaqur të gjithë drejtuesit e këtyre kompanive së bashku para ligjvënësve, pavarësisht se përmes videokonferencës për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ishte hera e parë që Jeff Bezos, personi më i pasur në botë, dëshmonte para Kongresit.
Një ndryshim toni në Uashington
Seanca solli gjithashtu në qendër të vëmendjes rregullatorët dhe ligjvënësit, të cilët duhet të hartojnë politika dhe të sigurohen që zbatohet ligji që ndalojnë firmat të përdorin mbizotërimin në treg për të eliminuar konkurrencën. Ata janë kritikuar nga disa ekspertë anti-trust, sipas së cilëve mbikqyrja e qeverisë ndaj këtyre kompanive ka qenë e dobët, veçanërisht krahasuar me kontrollin ndaj tyre në Evropë.
Presidenti Donald Trump, që gjithashtu i ka kritikuar kompanitë, shkruante në Twitter të mërkurën se “nëse Kongresi nuk vendos drejtësi për kompanitë e mëdha teknologjike, gjë që duhet ta kishte bërë vite të shkuara, do ta bëj vetë një gjë të tillë me Urdhër Ezkekutiv”.
Sfida e ligjvënësve
Ligjvënësit nuk mund të marrin masa ndaj kompanive të teknologjisë për shkelje anti-trust ose përpjekje për t’i copëtuar në njësi më të vogla. Por mund t’i ndryshojnë ligjet dhe të ushtrojnë presion ndaj rregullatorëve në Komisionin Federal të Tregëtisë dhe Departmentit të Drejtësisë për të bërë më shumë për zbatimin e rregullave ekzistuese.
Ka njoftime se Departamenti i Drejtësisë ka gjasa të ngrejë padi anti-trust ndaj komanisë Google. Rregullatorët shtetërorë mund të bashkojnë forcat me Departamentin e Drejtësiës ose të depozitojnë padi të veçanta, sipas njoftimeve.
Politikat e hartuara nga ligjvënësit ka gjasa të ndikojnë tek gjigandët e teknologjisë për vite me radhë.
voa