Pasi të lexoni më poshtë, do të shihni se metodat e nënshtrimit nuk kanë ndryshuar, lirisht mund të bëni krahasime me situatën e sotshme dhe do tju dalin para syve disa “politikanë” të sotshëm …
Gazetari i mirënjohur italian Indro Montanelli e kishte patur që herët në fokusin e tij vendin tonë, të cilin në kohën e Mbretërisë edhe e ka vizituar. Prej mbresave të asaj vizite lind libri i tij i njohur “Shqipëria një dhe njëmijë” (1939) një tekst me shumë vlera historike që është përkthyer në shqip nga Aurel Plasari. Ja një fragment nga ai libër:
“Kështu filloi procesi i kthimit përbrenda të shoqërisë shqiptare dhe i mbetjes djerrë të tokës: dy plagët kundër të cilave Shqipëria lufton ende sot. Kështu sidomos filloi ajo dukuri shkallmimi kombëtar, me kristalizimin e klasave në kasta, me paralizimin e trafiqeve dhe të çdo shkasi tjetër qarkullimi, qarkullimi gjithçkaje: idesh, prodhimesh bujqësore, kulture, shpresash. Turqia – me shkathtësi nga këndvështrimi i saj, që ishte këndvështrim i një sunduesi absolut ushtarak – e ndali historinë shqiptare në feudalizmin mesjetar, nga i cili ajo sa po dilte mundimshëm.
Turqia nuk përbëri, ajo shpërbëri. Nëpërmjet joshjes me karriera ushtarake, ajo i thithi vendit elementët më jetësorë. Klasën e vjetër drejtuese e zëvendësoi me një të re, vasale të Stambollit, e përforcoi atë me privilegje, e ndihmoi për konstituimin e latifondit më ogurzi, e bëri të parrezikshme për pushtetin qendror, duke ngjallur dhe ushqyer në gjirin e saj xhelozi dhe rivalitete familjare, duke ngritur një Bej kundër një tjetri dhe të gjithë kundër Pashait. Bujqësia birej, e vrarë nga prona madhe e tokës dhe nga varfërimi demografik; atë e vinte poshtë blegtoria. Tregtia me jashtë mori teposhtjen; brenda vendit qarkullimi ndeshte në pengesat e feudalëve të vegjël të fuqizuar, në mungesën e rrugëve dhe të mjeteve të komunikimit që askush nuk kishte interes të ndërtonte. Një zotëri në qendër të kardashllarëve të vet, mandej një tjetër zotëri në qendër të të tjerëve kardashllarë të vet dhe kështu me radhë, të shumëzuar për njëqind ose për njëmijë: dhe mes këtyre zotërinjsh dhe mes këtyre kardashllarësh nuk kishte marrëdhënie të tjera veç luftërave mbas pritash që i kundërvinin njërin ndaj tjetrit edhe që i thellonin shkepjet duke çelur urrejtje dhe duke lënë trashëgimi gjaku.
Hera-herës ndonjë prej këtyre bejlerësh dhe pashallarësh përftonte një program kryengritjeje kundër Stambollit dhe politike të pavarur. Por këto sipërmarrje provoheshin për ambicie vetjake të ndonjë prijësi guximtar, jo në emër të një kryengritjeje çlirimtare për rikonstituimin e njësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Nuk ishin dukuri Ringjalljeje, por Rilindjeje, një Rilindje më shumë e errët se e shkëlqyer, e luajtur prej prijësish gjenialë, të veçuar, që kur e kur mëtonin ta thjeshtonin vendin në një despotat vetjak, Valentinë me tre shekuj vonesë, sikurse tre shekuj e vonuar ishte edhe jeta politike shqiptare.
Më i famshmi qe Aliu i Tepelenës, pasha i Janinës, që në një çast ia pati dalë të bashkonte në pushtetin e tij Greqinë, Epirin, Tesalinë dhe Arbërinë jugore e qendrore. Tejmase i zgjuar, ushtar guximtar dhe mizor, diplomat pa skrupuj, mecenat i shkëlqyer mbas mënyrës së vet. Mbaroi në moshën shtatëdhjetetetëvjeçare (më 1824), me kokë të prerë nga Mahmudi II që asgjësoi tek ai rebelin jetëshkurtër të fuqizuar. Ndërsa në veri, në viset e Shkodrës, Mahmud Bushati dhe i biri Kara Mahmud dhe së fundi i nipi Mustafa qenë një dinasti komandantësh sypatrembur dhe që të tre përfunduan të vrarë.
Mirëpo qenë aventura dhe aventurierë, jo kryengritje kombëtare: bëma teke, mbështetur prej bandash në rastin më të mirë besnike ndaj kreut të tyre si person, jo ndaj një ideje, kur nuk ishin mercenarë vënë në lëvizje vetëm nga dashuria për paratë. Mandej ishin gjithnjë të paktë, një dorë trupash me pagëtyrë, ndërsa e shumta i qëndruan besnikë pushtetit qendror edhe si detyrim fetar, ngase tanimë rezistenca fetare qe shpartalluar, e thjeshtuar në ndonjë bastion të paarritshëm malësor të veriut, ndërsa „muslimanizmi“ merrte dhenë. Krerët rebelë ishin përjashtim. Rregulli ishte besnikëria ndaj Portës, ngjitja e shkallinave në postet e larta të drejtimit të administratës dhe ushtrisë turke: Shqipëria i dha Stambollit tetëmbëdhjetë vezirë të mëdhenj, të parin nënmbret të Egjiptit, Mehmet Aliun, dhe një ajkë trupash fort të bukura. Kjo besnikëri u dokumentua në çastet tragjike të teposhtjes turke, në fund të shekullit të kaluar, gjatë luftërave kundër rusëve: atëherë shqiptarët rendnin e luftonin për Gjysmëhënën. Edhe qe ky qëndrim që i shtyu Fuqitë nënshkruese të Traktatit të Shën Stefanit të 1878-s, i cili gjithsesi ishte mjaft i rëndë për Stambollin, t’ia njihnin Turqisë pjesën më të madhe të truallit shqiptar disa krahina të të cilit iu caktuan Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë”.