Mediat e huaja: Dështimi i Gjukanoviqit dhe paqartësitë për bashkëpunimin e opozitës së deritashme

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) shënuan dështim në zgjedhjet parlamentare të së dielës (30 gusht), shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Por, sipas tyre, mbetet e paqartë se si do të bashkëpunojnë tre partitë opozitare – të cilat duket se kanë fituar një shumicë së bashku – por programet e të cilave ndryshojnë dukshëm – duke nisur nga mbrojtja e lidhjeve më të ngushta me Rusinë e deri te përpjekja për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

DPS-ja pro-perëndimore mund të rrëzohet nga pushteti pas tre dekadash, pas zgjedhjeve me rezultat të ngushtë, që i dhanë një përparësi të vogël kampit të opozitës, shkruan agjencia France-Presse (AFP).

Sipas këtij mediumi, nëse rivali kryesor i DPS-së, blloku pro-serb, bashkohet me dy listat tjera të opozitës, mund të çojë në rrëzimin e DPS-së nga pushteti, që do të shënonte një tërmet politik në Mal të Zi.

Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, DPS kurrë nuk i ka humbur zgjedhjet, por, sipas AFP, këtë vit kjo parti u sfidua fuqishëm nga e djathta e mbështetur edhe nga kampi pro-serb, i cili dëshiron lidhje më të ngushta me Beogradin dhe Moskën.

AFP thekson se një rezultat të dobët të DPS-së, analistët ia atribuojnë përplasjeve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila për muaj të tërë ka mbizotëruar debatin politik në këtë vend.

Rezultatet e zgjedhjeve janë një dështim i madh për DPS-në, e cila ka qenë në pushtet për tre dekada, si dhe Gjukanoviqin, i cili e drejtoi vendin përgjat shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, shkëputjes nga Serbia më 2006 dhe anëtarësimit në NATO më 2017, shkruan agjencia Reuters.

Qeveria pro-serbe mund ta afrojë vendin më pranë Serbisë dhe Rusisë, por nuk pritet që ta largojë atë nga NATO-ja ose të heqë dorë nga planet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, thekson Reuters.

Liderët e opozitës dhe drejtuesit e organizatave për demokraci dhe të drejtat e njeriut, shkruan Reuters, kanë akuzuar prej kohësh Gjukanoviqin dhe PDS-në se po drejtojnë Malin e Zi si një feud të tyre korruptiv përmes lidhjeve me krimin e organizuar.

“Çdo qeveri e ardhshme do të duhet të angazhohet për të zgjidhur situatën e rënies ekonomike që filloi në vitin 2019, e cila më pas u përkeqësua nga pandemia e koronavirusit, që përfshiu të ardhurat e turizmit”.

Të dhënat e zgjedhjeve ende mund të çojnë në rezultate të ndryshme, por, secila prej tyre është një goditje për Gjukanoviqin, vlerëson BBC në një analizë.

Vendimi i Gjukanoviçit për të hyrë në një konflikt me Kishën Ortodokse Serbe u dha kundërshtarëve të tij një mundësi për të deklaruar se ata kanë Zotin në anën e tyre, thekson shërbimi publik britanik.

Përfshirja e kishës ka inkurajuar pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje, dhe shumë votues duket se kanë dëgjuar këshillat e priftërinjve për të votuar kundërshtarët e qeverisë, situatë kjo, që sipas BBC-së, ka krijuar mundësinë për një ndryshim të parë të qeverisë në Mal të Zi.

Sidoqoftë, do të ketë shqetësime për shkak të elementëve pro-rusë, dhe nacionalistë serbë midis partive opozitare nëse arrijnë të formojnë një qeveri koalicioni, shkruan BBC, duke shtuar se një ndryshim i qeverisë pas gati 30 vjetësh do të dërgonte një mesazh botës për Malin e Zi.

Në anën tjetër, Bloomberg raporton se nga burime të afërta, nuk është sqaruar se kush do të udhëheqë qeverinë e ardhshme në vendin që është e përfshirë në luftën për ndikim në Ballkan midis, mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, Rusisë dhe aleatëve të saj.

Sipas parashikimeve fillestare, të tre partitë e opozitës mund të marrin së bashku 41 nga 81 vendet në parlament, por, thekson Bloomberg, mbetet për tu parë nëse ata do të jenë në gjendje të bien dakord për një qeveri të përbashkët, siç ishte premtuar, duke pasur parasysh programet e tyre të kundërta.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>