Një etilometër i shpikur për të zbuluar marihuanën në frymëmarrjen e shoferëve mund të jetë në gjendje të diktojë COVID-19n në frymën e atyre që e përhapin më shumë koronavirusin, të ashtuquajturit “super-përhapës”. Kompania prodhuese e pajisjes, Hound Labs me qendër në Kaliforni, ka në plan ta nxjerrë pajisjen në treg nga fundi i këtij viti.
Provat në shkallë të vogël në Nju Jork dhe Kaliforni kanë treguar se etilometri i marihuanës mund të zbulojë edhe koronavirusin te fryma e njerëzve, thotë Mike Lynn drejtor ekzekutiv i kompanisë Hound Labs.
“Kemi shpenzuar rreth 50 milion dollarë në gjashtë vitet e fundit dhe kemi bërë mijëra teste te njerëzit për të krijuar një teknologji mjaft të veçantë që na lejon të analizojmë frymën dhe të zbulojmë përqëndrime tepër të vogla molekulash marihuane dhe tani të COVID-19s. I bëmë disa modifikime të vogla etilometrit dhe më pas kryem disa prova”.
Zoti Lynn thotë se laboratori bëri krahasime mes njerëzve që rezultonin pozitivë nga testi me shtupë dhe nga testi i frymës me etilometër, për të gjetur rolin e frymës në përhapjen e koronavirusit.
“Nga ata që dolën pozitivë me shtupë, rreth 25 përqind rezultuan pozitivë edhe në frymën e tyre, ndërsa 75 përqind jo. Dhe kjo përputhet me atë që ne dimë për ‘super-përhapësit’ e koronavirusit. Pra 20 për qind e njerëzve me COVID-19 mund ta përhapin atë gjerësisht, në dhjetëra njerëz, ndërsa 80 për qind nuk e përhapin fare ose shumë pak,” thotë Dr. Lynn.
Faza e parë e testimit u krye në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësisë të shtetit Nju Jork në një mjedis spitalor. COVID-19a u zbulua në frymën e një pacienti nga 14 të testuar.
Komisioneri i Shëndetësisë i Shtetit të Nju Jorkut Howard Zucker tha se shteti po bashkëpunon me kompani që mund të bëjnë testime të shpejta.
“Ekziston një nevojë e madhe për një sistem të thjeshtë që të mbledhë mostrat dhe të kryejë një provë të shpejtë e cila të mund të japë rezultate të menjëhershme në pikën e kujdesit,” thotë zoti Zucker.
Ekspertët thonë se nevojiten kërkime dhe prova të mëtejshme klinike në shkallë të gjerë para se të provohet nëse vërtet ka një lidhje mes njerëzve me virus të zbulueshëm në frymën e tyre dhe ‘super-përhapësve’.
voa