Pak ditë përpara se të miratohet qeveria e re në Mal të Zi, nga mazhoranca ku shumicën e kanë forcat filoserbe, partia URA e Dritan Abazoviçit, ka marrë një tjetër vendim që ndal revanshizmin nacionalist serb.
Jo me gojën e Dritan Abazoviçit, por të nënkryetarit të partisë URA, Filip Adziç, kjo forcë politike, pjesë e mazhorancës së re ka bërë të ditur se nuk do të votojë pro abrogimit të ligjit të shumëdiskutueshëm për institucionet fetare, që i heq Kishës Ortodokse Serbe, të drejtën e përfaqësimit si një organizëm nacional në vend.
Siç bën të ditur portali rus Sputnik, nënkryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Filip Adziç, njoftoi se partia që ai përfaqëson nuk do të votojë për tërheqjen e Ligjit për Lirinë e Fesë.
“Ne nuk do të votojmë për tërheqjen e Ligjit për Lirinë e Fesë. Ne thamë që Ligji për Lirinë e Fesë është i nevojshëm me Malin e Zi, por ne kemi nevojë për një ligj modern dhe një ligj që nuk është diskriminues”, tha Adziç mbrëmë në emisionin Klubi A në TV A1.
Sipas tij, për sa i përket lëvizjes civile URA, nenet e diskutueshme mund të hiqen ose rishikohen.
“Por ligji është i nevojshëm dhe asnjë organizatë fetare, as një individ, person fizik ose juridik nuk mund të jetë mbi ligjin ose Kushtetutës, madje as Kisha Ortodokse Serbe ose Metropolia e Malit të Zi. Ne jemi absolutisht kundër diskriminimit ndaj çdo komuniteti fetar”, tha Adziç.
Abrogimi i Ligjit për Lirinë e Fesë është njoftuar disa herë nga mbajtësi i listës Për Ardhmërinë e Malit të Zi dhe kandidati për kryeministër i caktuar Zdravko Krivokapiç.
Këtë e bëri të ditur edhe kreu i Kishës Serbe, Amfilohije, dy ditë më parë në një “meshë politike”, ku shpalli “rikthimin në Kosovë”.
Partia URA, ka detyruar dy koalicionet e tjera të mazhorancës së re që të firmosin një deklaratë paraprake, ku shprehin qëndrimet e tyre për mos largimin e Malit të Zi nga NATO, mostërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe njohjen e simboleve shtetërore të Malit të Zi.
Top Channel