Covid-19: Kufizime më të ashpra hyjnë në fuqi në disa vende evropiane

rusiNë Evropë, në Amerikë dhe në Azi janë përforcuar masat për kufizimin e pasojave të pandemisë. Numri i personaliteteve publike të infektuara është rritur.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier çeli Samitin Botëror të Shëndetit të dielën në mbrëmje nga Berlini. Samiti, i cili zgjat deri të martën, po mbahet në internet për shkak të rritjes së shkallës së infektimeve në Gjermani. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen gjithashtu folën në ceremoninë e hapjes. Disa mijëra mbrojtës të teorive të konspiracionit për koronavirusin ishin mbledhur në Berlin të dielën për të protestuar kundër samitit.

Këtu keni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në të gjithë botën.

Evropë

Baret dhe restorantet në Itali do të mbyllen në orën 18, duke nisur nga e hëna. Kinematë, teatrot, palestrat, pishinat, vendpushimet e skive dhe sallat e koncerteve mund të mos hapen fare. Nxënësit e shkollave të mesme do të kthehen në mësimin online.

Zvicra raportoi më shumë se 17.000 infektime të reja me koronavirus gjatë fundjavës. Ministri i Shëndetësisë i Zvicrës tha se kufizimet e reja që “me gjasë do të zgjasin shumë” do të shpallen të mërkurën. Zvicra ka regjistruar më shumë se 60 infektime të reja për 100.000 banorë gjatë dy javëve të fundit, duke e kaluar pragun e vet për t’u etiketuar si zonë rreziku.

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, njoftoi se ndjeu një “gjendje të keqe të përgjithshme” të dielën, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.

Baret dhe klubet në kryeqytetin bullgar Sofje u mbyllën nga e diela deri më 8 nëntor, në mënyrë që të ngadalësojnë shkallën e infektimit në rritje të shpejtë në vendin e Evropës Juglindore.

Sllovakia ka përfunduar fazën e parë të programit të saj të testimit për antigjenin në rajonet më të goditura të vendit. Pasi testoi dhjetëra mijëra vetë gjatë fundjavës, qeveria shpreson ta shtrijë programin në pjesën tjetër të popullatës prej pesë milionë banorësh.

Autoritetet ruse raportuan të hënën një numër rekord prej 17.347 rastesh të reja në 24 orët e kaluara, 5,224 prej tyre qenë vetëm në Moskë. Numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara ishte mbi 1.5 milionë.

Azi-Paqësor

Në Australi qyteti i Melburnit filloi të dalë nga një bllokim i rreptë katërmujor, pasi 24 orët e fundit nuk u regjistruan raste të reja infektimesh dhe kur ka kaluar një javë që nga vdekja e fundit e lidhur me COVID-19. Popullsia prej 5 milionë vetësh lejohet sërish të dalë pa kufizime, pasi u hoq urdhri për qëndrim në shtëpi.

Dyzina rastesh të reja me infektime, me origjinë të panjohur, u regjistruan në rajonin veriperëndimor Xinjiang të Kinës gjatë fundjavës. Autoritetet zbuluan 137 raste asimptomatike pas një përpjekjeje për të testuar 4.75 milionë vetë në rajonin Kashgar.

Amerikë

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nju Jorku u bë shteti i katërt që kalon shifrën prej gjysmë milioni rastesh infektimi, në një kohë që SHBA shohin një rritje të re të infektimeve dhe të shtrimeve në spital. Ish-ylli brazilian i futbollit Ronaldinho njoftoi të dielën në Instagram se ai kishte rezultuar pozitiv për koronavirusin, por ishte deri tani “pa simptoma”. Ai tha se do të hynte në izolim në hotelin e tij, derisa gjendja e tij të përmirësohej.

 

ab/aud (Reuters, dpa, AP, epd, EFE)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>