Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se sulmuesi i vrarë në Vjenë ishte një 20-vjeçar, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton AP.
Sulmuesi është identifikuar si Kujtim Fejzullahi, tha për agjencinë e lajmeve APA, ministri Nehammer.
Policia në Austri tha se po kërkojnë për të paktën edhe një të dyshuar, për sulmet e shumëfishta në Vjenë të Austrisë, që lanë të vrarë të paktën katër persona.
Agjencia e lajmeve APA ka raportuar se dy persona janë arrestuar në lidhje me sulmet në Vjenë. Kjo agjenci tha se arrestimet kanë ndodhur në qytetin Shën Poelten, rreth 65 kilometra në lindje të Vjenës.
Të hënën mbrëma, në kryeqytetin austriak, persona të armatosur, hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme, duke plagosur edhe 17 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët, dhe një u arrestua, transmeton BBC.
Ministri Nehammer tha të martën në mëngjes se sulmuesi i vrarë në të kaluarën ka qenë i dënuar për përfshirje në një organizatë terroriste.
Ai tha se “terroristi i dyshuar” ishte dënuar në prill të vitit 2019, për shkak se kishte tentuar që të udhëtonte për në Siri me qëllim që t’i bashkohej grupit militant Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burgim, por ishte liruar me kusht në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ministria е Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “është në kontakt të vazhdueshme me autoritetet e Austrisë për verifikimin e identitetit të sulmuesit, por edhe për lidhjet e tij të mundshme me persona të tjera. Policia austriake përmes INTERPOL-it ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim për këtë rast dhe autoritetet tona menjëherë i janë përgjigjur kërkesës për veprim”.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë – i vrarë nga policia –ishte një mbështetës i grupit militant, Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.
Më parë, Nehammer tha se të paktën një sulmues “i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm” besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i Brendshëm kërkoi nga njerëzit të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi të martën.
Ministri Nehammer tha se në operacionet e kërkimet për sulmuesit – numri i të cilëve është ende i paqartë – janë angazhuar edhe 1,000 pjesëtarë të sigurisë, ndërkaq shtoi se edhe vendet fqinje kanë ofruar mbështetjen e tyre për këto operacione.
Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.