Aktorë, regjisorë e kineastë u mblodhën mbrëmë në Hollivud për ceremoninë e çmimeve Globi i Artë, që nderon arritjet më të mira në realizime televizive dhe kinematografike. Ceremonia, që organizohet nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollivud, shihet gjerësisht si një parathënie e kandidatëve dhe fituesve të mundshëm të Çmimeve Oscar. Ceremonia e mbrëmshme shërbeu edhe si një plaftormë që Hollivudi të demonstronte solidarizimin me francezët dhe me fjalën e lirë.Dy realizime të reja, drama televizive “The Affair” e kanalit Showtime dhe produksioni “Transparent” i kompanisë Amazon tërhoqën vëmendjen mbrëmë, duke marrë çmimet më të lakmuara të ceremonisë – “The Affair” si drama më e mirë e vitit dhe “Transparent” si ko35 më e mirë.
“Transparent” ishte në një konkurrencë të fortë me serialet “Girls” dhe “Silicon Valley” të kanalit HBO, “Jane the Virgin” të CW dhe “Orange is the New Black” the kompanisë Netflix. Aktori kryesor i komedisë Jeffrey Tambor fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në rol komik të një realizimi televiziv.
Ndërsa Globin e Artë si aktori më i mirë në një serial dramatik e fitoi aktori Kevin Spacey, i cili luan një politikan intrigant në produksionin e kompanisë Netflix “House of Cards”:
“Kam konkurruar tetë herë në këtë kategori. Nuk më besohet që këtë radhë fitova”.
Në kategorinë e aktores më të mirë në një serial dramatik fitoi Ruth Wilson për interpretimin e saj në realizimin e kanalit Showtime “The Affair”. Seriali shtjellon problemet në jetën private të dy individëve të lidhur në një marrëdhënie jashtë martesore.
Aktorja e re Gina Rodriguez, thuajse e panjohur më parë, ka fituar famë të menjëhershme me serialin komik “Jane the Virgin”. Ajo fitoi mbrëmë Globin e Artë në kategorinë e aktores më të mirë në një komedi televizive:
“Ky çmim është shumë më tepër se një fitore për mua. Ai përfaqëson një kulturë të tërë që kërkon të vlerësohet”.
Ceremonia e Globit të Artë shoqërohej me një energji të pazakontë nga incidentet e dhunshme në Paris. Yjet e Hollivudit e shfrytëzuan grumbullimin e djeshëm për të shfaqur mbështetjen e tyre për fjalën e lirë, duke mbajtur tabela me parullën “Je Suis Charlie”, apo me komentet e aktorëve si George Clooney që u solidarizuan me francezët në këtë moment kritik:
“Ishte një ditë e jashtëzakonshme. Miliona vetë marshuan, jo vetëm në Paris, por në mbarë botën. Kishte të krishterë, hebrenj, myslimanë, udhëheqës të mbarë botës. Ata nuk dolën në marshim proteste, por në mbështetje të idesë se nuk do të ecin me frikë. Nuk do ta pranojmë frikën. Je suis Charlie”.
Aktori aludoi për mundësinë e një realizimi televiziv në solidarizim me francezët, të ngjashëm me spektakle që ka organizuar në të kaluarën për të mbështetur viktimat e tërmetit në Haiti dhe të cunamit në Azi. (voa)