Rajonet e banuara me popullsi kryesisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë standard më të ulët jetësor, thuhet në të dhënat e reja të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas raportit “Rajonet në Maqedoninë e Veriut” të publikuar nga Enti i Statistikave, del se paga mesatare e qytetarëve në Shkup është për 150 euro më e lartë kundrejt atyre të cilët jetojnë në rajonin verilindor (ku përfshihet Kratova, Krivapallanka, Kumanova dhe Likova e të tjera) të Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë që rajoni i Pollogut, që ka popullsi kryesisht shqiptare, ka standardin më të ulët jetësor.
Nëse shihet Bruto Produkti Vendor për kokë banori, në Shkup është 7 mijë e 300, përkatësisht rreth 5 mijë euro më e lartë me qytetarët që jetojnë në rajonin e Pollogut. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në këtë rajon është 2 mijë e 420 euro.
Në rajonin e Pollogut bëjnë pjesë Komuna e Tetovës, Gostavarit, Mavrovës, Bogovinës, Vrapçishtit etj.
Përpos në Shkup, ku është e koncentruar një e treta e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, paga mesatare në shtatë rajonet e tjera të shtetit, është më e ulët se mesatarja shtetërore.
Zhvillimi i barabartë rajonal është e rregulluar me ligj, por edhe me strategjitë dhjetëvjeçare të politikave qeveritare.
Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje zhvillimi jo i barabartë në tetë rajonet e Maqedonisë së Veriut.
“Brenga jonë si Odë është se në të ardhmen, nëse vazhdon ky trend i zhvillimit joproporcional të rajoneve, e tërë Maqedonia e Veriut do të bëhet Shkup dhe Shkupi si kryeqendër do të jetë e tërë Maqedonia e Veriut. Për këtë qëllim duhet sa më shpejtë të intervenohet nga ana e shtetit që t’i jepet fund kësaj dukurie”, thotë Iseni.
Ai thotë se për të mos pasur hendek mes rajoneve, duhet që të zbatohen ligjet në fuqi.
“Problemi së pari është në nivel qendror, pasi ligji në fjalë që rregullon barazinë zhvillimore nuk zbatohet ashtu siç duhet. Në bazë të Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, 1 për qind e Bruto Prodhimit Vendor duhet të investohet në zhvillimin e barabartë rajonal, që është në vlerë afërsisht 100 milionë euro, ndërkohë që vlera më e lartë e investimeve nga ana e shtetit në këtë politikë nuk arrin as 11 për qind të kësaj vlere ligjore”, thotë Iseni.
Përderisa Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithkund në botë, në kryeqytet është e koncentruar fuqia ekonomike, andaj sipas tij, pagat aty janë më të larta.
“Kjo ndodh për faktin se nga vendet e vogla, njerëzit e mençur largohen, pjesa më e madhe ikin në mërgim, përderisa një pjesë transferohen në Shkup. Më besoni në Prilep, Manastir apo Ohër është shumë e vështirë të gjeni një kuadër kualitativ. Të gjithë ata që ishin të mirë, në profile të caktuara, tashmë kanë ikur. Nëse një person është shkolluar në Shkup gjithsesi vendos të qëndrojë në kryeqendër, ku i ofrohen më shumë mundësi”, thotë thotë Cvetkovski.
Të dhënat e Entit të Statistikave po ashtu shfaqin një pabarazi sa i përket shkallës së papunësisë në rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.
Rajoni Verilindor prin sa i përket shkallës së papunësisë, me 33 për qind, ndërkaq, shkalla e papunësisë më 2019, në tërë Maqedoninë e Veriut, ishte 17.5 për qind.
Ndërkaq, përqindja më e ulët e papunësisë është në juglindje të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht 6.3 për qind.
Në këtë drejtim Aleksandar Cvetkovski thekson investimi në politikat arsimore do të bënte që të rinjtë që mbarojnë studimet, t’iu përgjigjen kërkesave të tregut të punës dhe që të njëjtit, të ardhmen e tyre të mund ta ndërtojnë edhe në qytetet më të vogla.
“Shkollat pothuajse nuk ofrojnë asnjë njohuri për të përgatitur gjeneratat e reja të jenë konkurrues në tregun e punës. Mungojnë kuadrot që i nevojiten sektorit të biznesit. Ja për shembull në rajonin e Pellagonisë kërkohen mekanikë për ekskavatorë, shitës të kompjuterëve, por të tillë në gishta mund të numërohen”, thotë Cvetkovski.
Ndërkaq Drilon Iseni drejtor nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se duhet ndërtuar mekanizma për një qasje të barabartë për sa i përket investimeve, në mënyrë që të shmangen dallimet e mëdha zhvillimore të rajoneve të ndryshme.
“Nëse merret aspekti i investimeve në rajonin e Pollogut, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 109 milionë euro investime kryesisht private dhe një pjesë publike. Përderisa të njëjtin vit, në rajonin e Shkupit janë investuar 1.2 miliard euro, që është 11 fish më shumë krahasuar me rajonin e Pollogut”, thotë Iseni.
Ai nënvizon se derisa nuk realizohet regjistrimi i popullatës, është shumë e vështirë të hartohen politika efektive zhvillimore për rajonet e caktuara në Maqedoninë e Veriut, sepse siç thotë Iseni, mungon pasqyra reale e shpërndarjes së popullsisë në territorin e shtetit.
rel