Por sipas zyrtarëve aktualë e të mëparshëm të zbulimit, si dhe analistëve të pavarur, ka pasur plot zhvillime të tjera shqetësuese.
Rusët, paralajmërojnë ata, kanë qenë të aktivë me operacione për planet e së ardhmes.
Në vend që të mbështeten tek operatorë anonimë apo llogaritë e sajuara në median sociale për të ndikuar tek opinioni publik amerikan, ata paralajmërojnë se agjentë të Kremlinit kanë penetruar dhe janë tani pjesë e ekosistemit të medias sociale amerikane, duke u bërë të pranishëm si zëra të së majtës ekstreme, ose të së djathtës ekstreme.
“Shumë nga këto fushata kanë miliona pasues,” thotë për Zërin e Amerikës Evanna Hu, shefja ekzekutive e firmës Omelas. “Ata janë mjaft të zotë për të nxitur ndjenja negative apo pozitive tek pasuesit, thjesht me postimet e tyre”.
Omelas është një firmë në Uashington që gjurmon ekstremizmin në internet në interes të kompanive private që punojnë në projekte të mbrojtjes. Kjo firmë ka ndjekur me kujdes materialet ruse të postuara në 11 platforma të medias sociale dhe qindra transmetime nga Rusia në disa gjuhë. Kompania ka mbledhur 1.2 milionë postime në një periudhë tre mujore para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Firma Omelas zbuloi se kanalet më aktive ruse përfshinin grupe mediatike të mbështetura nga shteti si RT (Rusia Sot), Sputnik, TASS dhe Izvestia TV.
“Ne shohim vetëm shkëmbimet aktive, pra kur klikon fizikisht në një postim, sheh çfarë thuhet,” thotë zonja Hu, duke shtuar se shifra për miliona postime është “përllogaritje fillestare”.
Firma Omelas po ashtu ka përllogaritur se vetëm 20% e postimeve që dalin nga organe të propagandaës ruse janë në anglisht. 40% e postimeve janë në rusisht, pjesa tjetër në spanjisht, arabisht, turqisht dhe disa gjuhë të tjera.
Media e mbështetur nga Rusia
Zyrtarët amerikanë janë treguar të rezervuar në komentet publike lidhur me ndikimin e këtyre përpjekjeve tek publiku amerikan, pjesërisht pasi është e vështirë të matet një ndikim i tillë.
Pas zgjedhjeve të 2016, për shembull, zyrtarët e zbulimit thanë në mënyrë të përsëritur se, megjithëqë kishin arritur në përfundimin se operacionet ruse ishin në favor të zgjedhjes së kandidatit Donald Trump, nuk mund të deklaronin nëse ndonjë prej votuesve amerikanë kishte ndërruar mendje bazuar në këto përpjekje ruse.
Megjithatë, disa zyrtarë thanë në komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti si rezultat i natyrës delikate të kësaj teme, se nuk ka përse Rusia të vazhdojë të shpenzojë para në këto manovra mediatike nëse këto përpjekje nuk po japin rezultat duke ndikuar tek amerikanët.
Një raport i gushtit 2020 nga Qendra për Angazhim Global pranë Departamentit të Shtetit, megjithëse nuk ofroi shifra, arriti në përfundimin se Moska “ka investuar shuma masive për propagandë, për shërbimet e zbulimit dhe për operatorë e agjentë që veprojnë në interes të saj”.
Zyrtarët amerikanë të sigurisë së zgjedhjeve kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për përpjekjet ruse për të infiltruar në ekosistemin e medias sociale dhe transmetimin e lajmeve.
“Nëse diçka ka lidhje me Kremlinin, nëse e dëgjoni nga RT, Sputnik apo Ruptly, menjëherë vini në pikëpyetje qëllimin,” tha gjatë një takimi në shtator Christopher Krebs, ish-drejtor i Agjencisë për Infrastrukturën e Sigurisë Kibernetike. “Përse e bëjnë? Çfarë duan të nxjerrin prej jush? Ka shumë të ngjarë që të mos jetë gjë e mirë”.
Zyrtarë të lartë të kësaj agjencie përsëri e përmendën median e mbështetur nga Rusia kur dhanë komente për gazetarët në ditën e zgjedhjeve, duke u kujtuar amerikanëve të trajtojnë çdo informacion që del nga burime që kanë lidhje me Rusinë me “një dozë shumë, shumë, shumë të rëndë skepticizmi”.
Frytet e Dizinformimit
Në një farë mase, paralajmërimet e vazhdueshme lidhur me grupet mediatike të mbështetura nga Kremlini, si RT dhe Sputnik, kanë dhënë fryte, të paktën për zgjedhjet e fundit amerikane.
“RT dhe Sputnik nuk janë burime domethënëse në asnjë prej analizave që kemi bërë mbi informacion fallso që flet për manipulim vote,” tha për Zërin e Amerikës përmes një emaili Kate Starbird, pedagoge e Universitetit të Uashingtonit dhe studiuese kryesore me grupin Partneritet për Integritetin në Zgjedhje.
“Nganjëherë ata thjesht shumëfishojnë dizinformatat që janë në qarkullim,” shton ajo. “Por ndodh shpesh që janë të vonuar dhe nuk arrijnë të ndryshojnë trajektoren e dizinformimit”.
Disa zyrtarë të zbulimit dhe studiues paralajmërojnë se, për momentin, kaq mund të mjaftojë.
“Ende shohim njerëz që ndajnë në media sociale në Amerikë informata të medias ruse,” thotë Clint Watts, ish-agjent special i FBI-së i cili ka analizuar prej vitesh dizinformimin rus. “Penetrimi i lajmeve ruse në SHBA është disa herë më i lartë se në vende të tjera, sepse këtu duan rezultate”.
Redfish dhe Tendenca për çorientim
Për t’i shtuar këto rezultate dhe për të shmangur paralajmërime që e identifikojnë informacionin si të krijuar nga burime ruse, grupe mediatike si RT dhe Sputnik kanë filluar të ndajnë materialet e tyre edhe në llogari të medias sociale të disa prej prezantuesve të tyre televizivë më të suksesshëm, shton zoti Watts, aktualisht studiues në Aleancën për Sigurinë e Demokracive.
“Ata i qarkulluan intensivisht materialet mbi protestat pas vdekjes së George Floyd dhe shumë prej këtyre materialeve u ndanë nga miliona e miliona përdorues të tjerë,” thotë për Zërin e Amerikës zoti Watts. “Këto materiale qarkulluan sidomos ndër pasues të së majtës dhe afrikano-amerikanë, të cilët nuk e dinë se Redfish është burim rus”.
Ndikim tek e djathta ekstreme
Rusia ka gjetur mënyra për t’i bërë jehonë mesazheve të saj edhe tek e djathta ekstreme.
Sipas një raporti të muajit gusht nga Qendra për Angazhim Global, faqe që veprojnë në interes të Kremlinit, si faqja Global Research në Kanada, apo Fondacioni për Kulturë Strategjike, i operuar nga rusët, u fryjnë teorive të konspiracionit për tema si koronavirusi.
Studiues si zoti Watts thonë se propaganda qarkullon dhe shpesh shihet në faqe të ekstremit të djathtë si ZeroHedge apo The Duran, ku merr përhapje edhe më të madhe.
Një tjetër studiues paralajmëron se përpjekjet ruse kanë gjetur jehonë edhe ndër përhapësit e teorive të konspiracionit nga ekstremi i djathtë amerikan, disa prej të cilëve gjejnë material në faqe që veprojnë në interes të rusëve, apo edhe nga burime të mbështetura direkt nga Kremlini, si RT.
“Të gjitha llogaritë që ushqehen nga teoria e konspiracionit Q(Anon) e pëlqejnë shumë gjithë këtë material të prodhuar nga rusët,” thotë për Zërin e Amerikës studiuesi, duke folur në kushte anonimiteti, si rezultat i punës që bën.
Penetrimi në median kryesore
Materialet e propagandës ruse nuk qarkullojnë vetëm në skajet periferike të politikës amerikane. Disa nga këto materiale qarkullojnë aq shumë dhe aq gjatë, saqë bëhet e vështirë të injorohen.
“Dikush nga ekstremi i djathtë apo ekstremi i majtë amerikan e kap këtë tematikë dhe ky material merr fuqinë e një orteku dhe arrin edhe në median serioze amerikane,” thotë zonja Hu, shefe ekzekutive e firmës Omelas.
Në disa raste, figura me influencë të propagandës ruse kanë dalë në qendër të vëmendjes. Për shembull më 20 nëntor, Presidenti Trump ndau disa herë në llogarinë e tij në Twitter postimet e Wayne Dupree, komentator i rregullt për grupin mediatik rus, RT.
Disa ditë më parë, në një artikull opinion në RT, zoti Dupree sulmonte atë që e cilësonte “sjellje të pisët dhe të pacipë nga demokratët për të dëmtuar integritetin e zgjedhjeve”.
“Do të rrëzohen keq, të gjitha kanalet kryesore të lajmeve që janë përpjekur t’ua shpërlajnë trutë amerikanëve. I gjithë sistemi po shkatërrohet,” shkruante ai.
Një numër studiuesish dhe zyrtarësh të kundërzbulimit thonë se ky incident është pjesë e një prirjeje tashmë shumë të njohur.
Në qershor, zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë paralajmëruan se RT kishte identifikuar dhe kontaktuar policë dhe zyrtarë të sindikatave të policisë që ishin shprehur hapur me opinione të forta, duke u munduar të përdorte reagimet e tyre ndaj protestave që kishin përfshirë shumë qytete, për të ndezur edhe më tej tensionet në vend.
“Ata e dinë se nuk kanë më nevojë të bëjnë gjë vetë,” tha në tetor William Evanina, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit.
“Tani rusët marrin informacion nga qytetarë amerikanë dhe thjesht e amplifikojnë dhe e pëhapin. Marrin informacion qoftë nga përhapës të teorive konspirative, apo nga njerëz të thjeshtë me informacion të pavërtetuar dhe thjesht e përhapin pa pushim”.
voa