Në gjithë botën pamjet e manipuluara po shtohen çdo ditë në internet. Në këto kushte, si mund ta dallojmë se cilat janë të vërteta? Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble analizon një nga zgjidhjet e mundshme: një vulë dixhitale që konfirmon vërtetësinë.
“Në vend që të përpiqesh të gjesh ato të rremet, provon se cilat janë të vërteta”, thotë Sherif Hanna, Nënpresident për Kërkimet dhe Zhvillimin në kompaninë Truepic.
Truepic prodhon programe që i pajis fotot me një logo të veçantë që ndihmon në konfirmimin e vërtetësisë së tyre.
Ata po bashkëpunojnë me kompaninë Qualcomm që prodhon një çip për ta përfshirë këtë teknologji në të njëjtin çip të sigurt që njeh shenjat e gishtërinjve në telefonat inteligjentë.
“Ne prodhojmë fotografi që kanë një shenjë dalluese”, thotë zoti Hanna.
“Nëse dikush do të modifikonte një foto, datën dhe orën, vendndodhjen ku janë marrë ajo vulë do të dëmtohej, dhe ne do të kuptonim se fotografia është modifikuar nga origjinali.”
Përveç vendndodhjes dhe momentit të fotografisë, ky sistem ofron edhe një hartë me tre përmasa të vendndodhjes në lente. Më vonë, një shikues mund të ketë qasje në të gjitha këto informacione si edhe çdo ndryshim të fotos.
“Pra kemi një transparencë të plotë të çdo gjëje që ka ndodhur me foton që nga shkrepja e saj e deri tek ajo që sheh në ekran“, thotë zoti Hanna.
Truepic po bashkëpunon me Microsoft-in, Adobe-n dhe organizatat e medias për një program që ata shpresojnë se do të përfshihet në çdo faqe dhe aplikacion që shfaq fotot.
“Nëse do të shikonim një hark kohor 10-vjeçar, ne duam që çdo foto ose video të vijë me provën e vërtetësisë”, thotë zoti Hanna.
Duke bërë më të lehtë zbulimin e imazheve të rreme.
voa