Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikoi të mërkurën aktgjykimin e plotë me të cilin shpallet i pavlefshëm votimi i qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, duke hapur rrugën për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Vendimi i saj jo i plotë u shpall më 21 dhjetor të vitit që lamë pas dhe pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.
Qeveria e zotit Hoti u miratua me 3 qershor me 61 vota në parlamentin me 120 vende, minimumi i mundshëm për konfirmimin e një qeverie të Kosovës, e cila ka nevojë vetëm për një votë më shumë se 50 për qind për t’u miratuar. Pa votën e zotit Arifi, ky minimum nuk do të ishte arritur.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese thuhet se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.
“Gjykata e konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqin ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucionalë të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare. Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në tekstin e aktgjykimit.
Gjykata Kushtetuese thotë se për të shmangur në të ardhmen situata të tilla, duhet bashkërendim institucional kur bëhet fjalë për kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.
“Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që në shpalljen e tij më 21 dhjetor nxiti debate nëse kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.
Publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese i hap rrugën ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani,që të shpall datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë nga shpallja e tyre.
voa