Prej ditësh u diskutua për shtyrjen e masave kufizuese ndaj koronavirusit. Tani kancelarja Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për ashpërsimin e rregullave. Gjendja është dramatike, u tha në Berlin
Në krizën e koronavirusit kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën për masa më të rrepta kufizuese: Federata dhe landet do të kufizojnë edhe më tej lirinë e lëvizjes për njerëzit në të ashtuquajturat hotspote. Sikurse njoftoi në një konferencë shtypi kancelarja pas konsultimeve disa orëshe me krerët e landeve, në rajonet me një incidencë shtatë ditore prej më shumë se 200 raste infektimesh për 100.000 banorë liria e lëvizjes do të jetë e mundur vetëm brenda një segmenti deri në 15 km nga vendbanimi. Përjashtime do të ketë vetëm për arsye të forta.
Masa të drejta edhe pse të ashpra
Gjithashtu është përforcuar edhe më shumë kufizimi i kontakteve: anëtarët e një familjeje lejohen të takohen vetem me një person nga një familje tjetër. Deri tani lejoheshin të takoheshin maksimumi deri në pesë persona nga maksimumi dy familje. Merkel e quajti këtë „një kthim në rregulloren e marsit”. Kjo është e drejtë, edhe pse për njerëzit një masë e ashpër. Ashpërsimin e masave kufizuese kancelarja e argumentoi me mutacionin e ri të koronavirusit, që shkakton më shumë infeksione për kontakt, si dhe me mbingarkesën e pavioneve të reanimacionit nëpër spitale. Disa spitale janë përballur me „situata në limite”.
Kufizimet aktuale do të jenë në fuqi deri më 31 janar, shkollat dhe kopështet e fëmijëve deri atëherë do të jenë „në përgjithësi” të mbyllura. Më 25 janar kryeministrat e landeve dhe federata do të bëjnë një rivlerësim të situatës dhe do të konsultohen për masat në muajin shkurt. Kryeministri i Bavarisë, kristiansociali Markus Söder tërhoqi vëmendjen, për të mos pasur iluzione, se në shkurt do të jetë tejkaluar kjo situatë.
Baden-Vyrtemberg ndjek tjetër kurs
Landi i Baden-Vyrtembergut e ka lënë ende të hapur zbatimin e disa masave. Kufizimet e lëvizjes së lirë brenda segmentit 15 km nga vendbanimi në hotspotet e infeksioneve me koronavirusin tani për tani nuk janë planifikuar, deklaroi kryeministri i landit nga partia ambientaliste Winfried Kretschmann. Për këtë do të vendoset javën e ardhëshme pasi të jenë paraqitur shifrat e plota. Nga shifrat aktuale do të varet nëse do të hapen ose jo nga 18 janari kopështet e fëmijëve dhe shkollat fillore.
Këshilla e ekspertëve
Merkel dhe Söder si dhe kryebashkiaku qeverisës i Berlinit, socialdemoktrati Michael Müller vunë në dukje, që një ditë më parë ka pasur një konsultë me ekspertët. Mbi bazën e vlerësimeve shkencore u konsultuan të martën (05.01) politikanet dhe politikanët në Berlin. Fillimisht kufizimet ishin vendosur deri më 10 janar. Por gjatë ditëve të fundit pati konsensus të gjerë për shtyrjen e masave. Edhe përfaqësuesit e mjekëve patën tërhequr vëmendjen nga një zbutje e shpejtuar e masave.
djo/ml/gri (afp, dpa, rtr, Phoenix)